Site icon Telegrafi

Austria me përqindjen më të ulët të vdekjeve në botë nga COVID-19, eksperti i shëndetit publik tregon arsyet e suksesit

Përqindja e vdekjes tek pacientët e prekur me coronavirus në Austri është më e ulëta në botë, thotë eksperti për shëndet publik Armin Fidler.

Ai thotë se Austria, me 71 të vdekur në një milion banorë, për 30 për qind qëndron më mirë sesa fqinji i saj Gjermania, transmeton Telegrafi.

Gjatë një konference për media në Bregenc, Fidler ka thënë se me shembujt si Italia, Spanja dhe Britania e Madhe, mund të shihet se çfarë mund të ndodh nëse masat për luftimin e coronavirusit nuk aplikohen në kohë.

Ai ka përmendur gjendjen në SHBA, duke theksuar se një studim i realizuar së fundmi tregon se SHBA-të kanë mundur të parandalojnë vdekjen e 36 mijë personave po të kishin reaguar vetëm një javë më herët, duke aplikuar masat mbrojtëse.

Sipas Fidlerit, arsyet e suksesit të Austrisë në parandalimin e rritjes së përqindjes së vdekjeve, ka qenë disiplina në maksimum e qytetarëve të këtij vendi.

Në Vjenë në javën e parë të vënies së masës kufizuese të lëvizjes, shoqërimi mes vete ka rënë për 30 për qind në Austri, që do të thotë se kanë shmangur kontaktin fizik me njëri-tjetrin.

Kur është fjala për Suedinë, qasja liberale e ka sjellë këtë vend në këtë gjendje që është tani, ku sipas Fidlerit atje ka pesë herë më shumë të vdekur sesa në Austri.

“Askush nuk e ka ditur mënyrën e duhur”, ka konstatuar ai duke shtuar se masat mbrojtëse mund të kenë qenë të tepruara, por duhet pasur parasysh se çdo ditë diçka e re po mësohet për coronavirusin.

Ai konsideron se rreziku më i madh tani vjen nga ahengjet e organizuara, vizitat në kisha si dhe në dasma dhe varrime.

Fidler që punon si këshilltar në rajonin e Forarlberg, beson se në mbarë botën ekzistojnë 105 projekte sa i përket zhvillimit të ndonjë vaksine kundër coronavirusit. /Telegrafi/

 

Exit mobile version