Site icon Telegrafi

Austria demanton mediat serbe, reagon edhe ambasada

Ambasada e Austrisë në Kosovë ka reaguar pas raportimit në media se zëvendëskancelari austriak, Heinz-Christian Strache, ka thënë se Kosova është pjesë e Serbisë.

Ambasadori austriak në Kosovë, Gernot Pfandler, ka thënë se Austria s’ka ndryshuar qëndrim ndaj Kosovës, teksa Strache ka mohuar, nëpërmjet zëdhënësit të tij, se ka dhënë deklaratën kontroverse për gazetën serbe “Politika”.

“S’ka ndryshim të qëndrimit austriak karshi Kosovës”, ka shkruar ambasadori austriak në llogarinë e tij, në Twitter.

“Austria është një ndër vendet e para që e ka njohur Kosovën, dhe që atëherë është një prej mbështetëseve më të fuqishme të Republikës së Kosovës dhe të perspektivës së saj evropiane”, ka theksuar ai.

Hoxhaj: Serbia po bën propagandë kundër Kosovës me lajme të rrejshme për ndryshim të kufijve

Reagimi i tij vjen pasi zëvendëskancelari i Austrisë u raportua të ketë thënë sot se Kosova është pjesë e Serbisë. Por, nëpërmjet zëdhënësit të tij, ai ka mohuar të jetë shprehur kështu për gazetën serbe “Politika”.

Edhe zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, reagoi lidhur me deklaratën e zëvendës-kancelarit austriak, Heinz-Christian Strache.

Hoxhaj, përmes një postimi në Twitter,  i ka quajtur të rrejshme lajmet për ndarje të territorit apo ndryshim të kufijve.

“Serbia po intensifikon agjendën me propaganda dhe sulme kundër Kosovës në cep të dhjetë vjetorit të pavarësisë”.

“Lajmet e rrejshme dhe kërcënimet e vazhdueshme në ndarje të territorit e ndryshim të kufijve janë pjesë e kampanjës sistematike kundër Kosovës dhe të ardhmes euro-atlantike të rajonit”, ka thënë ai në Twitter. /Telegrafi/

Exit mobile version