Site icon Telegrafi

Austria bëhet shteti i parë evropian që obligon me ligj qytetarët të vaksinohen kundër COVID-19

Presidenti i Austrisë, Alexander van der Bellen, nënshkroi sot një ligj që parashikon vaksinimin e përgjithshëm të detyrueshëm për të gjithë qytetarët e rritur.

Pasi që Dhoma Provinciale e Parlamentit austriak miratoi ligjin mbrëmë, pasi Parlamenti bëri të njëjtën gjë në fund të muajit të kaluar, presidenti me nënshkrimin e tij konfirmoi vaksinimin e detyrueshëm, i cili tashmë mund të hyjë në fuqi.

Kabineti i Van der Bellen njoftoi se presidenti me nënshkrimin e tij konfirmoi se ligji u miratua në përputhje me Kushtetutën, raporton cnn.

Tani, kancelari Karl Nehamer duhet të nënshkruajë ligjin dhe më pas duhet të shpallet zyrtarisht në mënyrë që të hyjë në fuqi.

Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, të gjithë shtetasit madhorë me leje qëndrimi në Austri do të duhet të vaksinohen kundër coronavirusit.

Nga vaksinimi i detyrueshëm përjashtohen vetëm gratë shtatzëna dhe personat që nuk mund të vaksinohen për arsye mjekësore, si dhe personat që kanë qenë të infektuar prej 19 deri në 180 ditë.

Në fazën e parë, e cila zgjat deri në mesin e muajit mars, nuk do të ketë ndëshkime, por qytetarët do të informohen vetëm për detyrimin e vaksinimit.

Policia austriake nga data 16 mars do të kontrollojë statusin e vaksinimit të qytetarëve gjatë kontrolleve të zakonshme, ndërsa për mosrespektim të ligjit është paraparë gjobë prej 600 deri në 3600 euro.

Gjegjësisht, kushdo që kapet duke mos u vaksinuar, nëse pranon menjëherë gjobën, do të gjobitet deri në 600 euro, ndërsa nëse ankimohet, do të llogarisë në gjobë deri në 3600 euro.

Para se ligji të hyjë në fuqi, Ministria duhet të miratojë një rregullore përkatëse, e cila do të thotë se cilat vaksina pranohen, si dhe cilat janë të gjitha përjashtimet.

Parashikohet që përveç vaksinave të miratuara nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), të pranohen edhe vaksinat kineze, ndërsa mediat raportojnë se nuk do të pranohet vaksina ruse, Sputnik V. /Telegrafi/

Exit mobile version