Telegrafi

Australianët kërkojnë një minierë kromi në Shqipëri

Kompania australiane JAB RESOURCES LIMITED ka aplikuar për hapjen e një miniere të re kromi në zonën e Kalimashit, e cila pritet të ofrojë standarde të reja sigurie dhe mjedisore në Shqipëri me praktika pune të standardeve ndërkombëtare. Aplikimi për marrjen e kësaj leje u krye ditën e premte më datë 19 qershor 2009, 18 muaj pas studimeve paraprake, përfshi punimet e zbulimit dhe studimet e fizibilitetit me një kosto totale prej 3 milionë dollarësh.

Studimet e kryera nën supervizimin e ekspertëve australianë vërtetuan se JAB RESOURCES paraqet një përqasje të re në shfrytëzimin e rezervave të xeherorëve të kromit, të cilat priten të sjellin një përdorim sa më optimal të kromiteve në Shqipëri, se sa në të kaluarën.

JAB do të prezantojë teknika të mekanizimit të lartë të nxjerrjes së kromit, të cilat do të lejojnë shfrytëzimin e xeherorëve me përmbajtje deri në 2% kromite deri tani të lëna pas dore si nga procesi i shfrytëzimit, ashtu edhe nga kërkimet e bëra në të kaluarën. Nga studimet e kryera deri tani JAB ka përvijuar rezervat që do të shfrytëzohen në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Rezervat minerale të përcaktuara nga JAB janë të parat në Shqipëri që plotësojnë kushtet e standardit JORC, një sistem ndërkombëtar i klasifikimit të rezervave minerare, i përdorur në vendet e Azisë dhe Australi.

Shfrytëzimi i rezervave minerale me përmbajtje të ulët lejojnë që të nxirret më shumë krom nga vendburimet minerale. Teknikat unike të kompanisë do të bëjnë të mundur nxjerrjen e kromit 5 deri 10 herë më shumë se sa ka qenë e mundur nga praktikat e mëparshme.