Australia ka akuzuar pilotin e një avioni luftarak kinez se ka kryer një manovër të rrezikshme pranë njërit prej avionëve të saj mbi Detin e Kinës Jugore.
Sipas BBC, përcjell Telegrafi, thuhet se avioni kinez lëshoi flakë dhe i doli përpara aeroplanit australian të mbikëqyrjes.
Avioni kinez lëshoi më pas “bykun” – një pajisje anti-radar që përfshin copa të vogla alumini që hynë në motorin e aeroplanit australian.
Pekini e deklaron pjesën më të madhe të rajonit si territorin e tij.
Aeroplani vëzhgues detar i Forcave Ajrore Mbretërore Australiane P-8 u gjurmua më 26 maj nga një avion luftarak kinez J-16, gjatë asaj që ishte një aktivitet rutinë vëzhgimi detar, tha kryeministri australian, Anthony Albanese.
“Përgjimi rezultoi në një manovër të rrezikshme e cila përbënte një kërcënim sigurie për avionin P-8 dhe ekuipazhin e tij”, tha ai.
Ministri i Mbrojtjes, Richard Marles, tha se avioni kinez fluturoi shumë afër para avionit RAAF dhe lëshoi një “pako byku” që përmbante copa të vogla alumini që u futën në motorin e avionit australian.
“Padyshim që kjo është shumë e rrezikshme”, tha Marles për televizionin ABC. /Telegrafi/