Australia ka raportuar ditën e dytë radhazi pa asnjë vdekje nga COVID-19 të premten, periudha më e gjatë pa ndonjë fatalitet nga virusi në tre muaj.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, shtetet dhe territoret australiane raportuan 16 raste të COVID-19 në 24 orët e kaluara, nga 28 të enjten, dhe pa vdekje për dy ditë, hera e parë që Australia ka kaluar 48 orë pa një vdekje nga COVID-19, që nga data 11 korrik.
Një rezultat i tillë të bën të mendosh se Australia ka përmbajtur një valë të dytë të infeksioneve me COVID-19.
Siç bëhet e ditur, shteti i dytë më i populluar i vendit Victoria, epiqendra e shpërthimit të rasteve me COVID-19 në Australi, tha se ata tani kanë më pak se 200 infeksione aktive.
“Këto janë rezultatet që vijnë nga një përpjekje me të vërtetë e vendosur për të mposhtur këtë valë të dytë”, u ka thënë kryeministri i shtetit Victoria, Daniel Andrews, gazetarëve në Melburn.
Australia ka raportuar më shumë se 27,000 infeksione me coronavirus dhe rreth 900 vdekje – shumë më pak se shumë vende të tjera të zhvilluara. /Telegrafi/