Site icon Telegrafi

Australia po ballafaqohet me shifra alarmante të coronavirusit – 89 të vdekur dhe 55 mijë të infektuar

Australia regjistroi sot një nga shifrat më të larta ditore të vdekjeve, dhe shtrimet në spital janë pothuajse në nivele rekord, pasi autoritetet luftojnë variantin shumë ngjitës Omicron.

Nënvariantet e Omicron BA.4/5 shmangin me sukses mbrojtjen nga vaksinat ose infeksionet e mëparshme dhe janë shtytësi i rritjes globale të numrit të personave të infektuar.

Australia ka regjistruar një numër rekord të vdekjeve në ditët e fundit. Sot u regjistruan 89 vdekje dhe të mërkurën 90. Më shumë se 55 mijë raste të reja u konfirmuan të enjten, që është numri më i lartë që nga 18 maji.

Kryeministri Anthony Albanese tha se udhëheqësit e shtetit dhe zyrtarët federalë të shëndetësisë nuk kanë rekomanduar maska të detyrueshme në ambiente të mbyllura, pavarësisht thirrjeve nga disa mjekë për ta bërë këtë.

“Nuk ka kuptim të vendoset detyrimi për të mbajtur maska nëse nuk do të zbatohet”, tha Albanese për radion ABC. Ai tha gjithashtu se zyrtarët shëndetësorë duhet të kenë parasysh ndikimin e kufizimeve të rënda në shëndetin mendor.

Numri i të shtruarve është afër pikut nga janari. Janë rreth 5350 pacientë me COVID-19 në spitalet australiane. Autoritetet u bënë thirrje kompanive që të lejojnë punëtorët të punojnë nga shtëpia dhe rekomanduan që banorët të marrin të ashtuquajturat dozë përforcuese.

Rreth 71 për qind e australianëve e morën atë dozë dhe 95 për qind e banorëve mbi moshën 16 vjeç morën të paktën dy doza të vaksinës. /Telegrafi/

Exit mobile version