Site icon Telegrafi

Australia përballet me temperaturat më të larta që prej 1939

Sidnej u përball sot me një prej ditëve më të nxehta të regjistruara ndonjëherë, ndërkohë që temperaturat e larta kanë detyruar lojtarët e turneut ndërkombëtar të tenisit të tërhiqen nga loja.

Qyteti më i madh i Australisë ka regjistruar ditën më të nxehtë që prej vitit 1939, me temperatura që arrinin në 47,3 gradë Celsius në zonën e Penrith.

Yjet e tenisit janë tërhequr nga fushat e lojës në “Sydney International”, për shkak të temperaturave shumë të larta që arritën deri në 40 gradë Celsius.

Francezja, Kristina Mladenovic kërkoi ndjesë pasi u detyrua të tërhiqej në mes të ndeshjes me Ellen Perez për shkak të temperaturave shumë të larta.

“43 gradë Celsius, por ndoshta dhe 50 kur filloi loja. Jam e dëshpëruar për tifozët. Është hera e parë në karrierën time që tërhiqem nga një ndeshje”, deklaroi ajo në rrjetin social Twitter.

Paralelisht, autoritetet kanë paralajmëruar për zjarre për të shmangur zjarret në pyje që kanë qenë të vazhdueshme gjatë verës.

Flakët kanë shkatërruar tashmë disa prona në Shtetin e Victorias dhe në Australinë jugore.

Sipas Zyrës së Meteorologjisë (CSIRO), temperaturat janë rritur me një gradë Celsius që prej 1910.

Në shtator të vitit 2017-tës, australianët u paralajmëruan për një sezon të rrezikshëm zjarresh pyjore pas një dimri të thatë.

Më shumë se 200 rekorde u thyen në të gjithë vendin mes dhjetorit 2016 dhe shkurt 2017, me disa vale të njëpasnjëshme të nxehti ekstrem, zjarresh dhe përmbytjesh gjatë sezonit veror.

Exit mobile version