Site icon Telegrafi

Australia ‘lufton’ me përmbytje masive – publikohen pamjet kur shiu intensiv dhe erërat e fuqishme godasin vendin

Një person ka vdekur dhe mijëra të tjerë janë nën urdhra evakuimi në verilindje të Australisë pasi shiu intensiv shkaktoi përmbytje të rrezikshme që kanë përmbytur shtëpi dhe biznese.

Bëhet e ditur se përmbytjet kanë goditur pjesë të mëdha të bregdetit të Queensland-it të Veriut që nga e premtja, me qytetin Ingham dhe Townsville të prekur rëndë.

Ndërsa banorëve në periferitë dhe qytetet e ulëta bregdetare u është kërkuar të evakuohen menjëherë.

Kryeministri i Queensland, David Crisafulli konfirmoi se një person kishte vdekur në përmbytjet në Ingham.

Gruaja u mbyt kur një varkë shpëtimi me të cilën po udhëtonte u përmbys pasi u përplas me një pemë.

Koordinatori Shtetëror i Fatkeqësive, Shane Chelepy, tha se gruaja ishte një nga gjashtë personat në varkë, ndërsa pesë të tjerët u shpëtuan.

“Ky është një komunitet vërtet i lidhur ngushtë, mendimet dhe lutjet tona janë me familjen”, tha Crisafulli.

Kryeministri australian, Anthony Albanese tha se ky ishte një “lajm tronditës”, në një postim në X.

“Mendimet e mia janë me familjen dhe të gjithë komunitetin në këtë kohë të tmerrshme”, shkroi Albanese.

Gjithashtu, ai tha se qeveria federale “do të sigurojë të gjitha burimet që kërkohen për t’u marrë me këtë ngjarje”, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.

Ndryshe, në periferi të Townsville të Bluewater, një alarm emergjent u lëshua të dielën, me zyrtarët lokalë të reagimit ndaj fatkeqësive duke u thënë banorëve “jeta juaj mund të jetë në rrezik”.

“Uji po rritet me shpejtësi dhe do të ketë përmbytje të rrezikshme dhe kërcënuese për jetën”, tha Grupi Lokal i Menaxhimit të Fatkeqësive në Townsville.

“Nëse nuk largoheni, mund të bëhet shumë e rrezikshme që shërbimet e urgjencës t’ju shpëtojnë”, shtoi paralajmërimi.

Banorët në “zonën e zezë” të Townsville, një zonë në qytet më e rrezikuar nga përmbytjet, u paralajmëruan të evakuoheshin deri në mesditë të së dielës dhe Crisafulli tha se qendrat e evakuimit ishin hapur.

Ndër tjera, banorët janë këshilluar të jenë të kujdesshëm ndaj krokodilëve që mund të fshihen në ujërat e përmbytjeve.

“Gjatë përmbytjeve, krokodilët mund të shfaqen në vende që nuk janë parë më parë, ndërsa lëvizin në kërkim të ujërave më të qetë”, njoftuan zyrtarët.

Raportohet se Townsville, një qytet me rreth 200,000 banorë, u godit nga përmbytjet shkatërruese në vitin 2019, të cilat u etiketuan nga kryeministri i atëhershëm i shtetit si një “ngjarje një në 100-vjeç”.

E duket se edhe shirat e kësaj fundjave përputhen me ato kushte, pasi qytetarët janë njoftuar të përgatiten për më të keqen dhe të marrin masa paraprake.

Përmbytjet vijnë pas ditëve me shi të rrëmbyeshëm dhe erëra të fuqishme të shkaktuara nga dy sisteme tropikale me presion të ulët, sipas Byrosë Australiane të Meteorologjisë.

Zona të shumta janë goditur me reshje totale 24-orëshe deri në 600 mm.

Shiu i rrëmbyeshëm dhe erërat që mund të shkaktojnë përmbytje të mëtejshme parashikohet të zgjasin deri të hënën..

Ingham mund të shohë përmbytjet më të këqija në 60 vjet. /Telegrafi/

Exit mobile version