Telegrafi

Auditori nxjerr në pah vendimet e kundërligjshme të AKP-së

Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit ka marrë vendime kontroverse për shitjen e ndërmarrjeve në procesin e likuidimit.

Në dy raste, ka refuzuar shitjen e ndërmarrjeve që kanë pasur nga 3 apo 5 oferta, kurse kanë aprovuar shitjen e ndërmarrjeve në vetëm një ofertë.

Auditori i Përgjithshëm ka ngritur dyshime në këto vendime të bordit, pasi nuk ishin të bazuara në praktika dhe nuk kishin as argumente mbrapa këtyre vendimeve, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Veprimet që nuk janë në përputhje me praktikën e pritur dhe që nuk janë të sqaruara me analiza mund të rezultojnë në pranime më të vogla se që është e mundshme të arrihen. Po ashtu mund të rezultojë në vonesa në privatizime e që shoqërohen me vonesa në regjenerim ekonomik, mundësi punësimi dhe në pranimet në të ardhmen”, thuhet në raportin e Auditorit për pasqyrat financiare të AKP-së për vitin 2014.

Këto lëshime ishin evidentuar në valën e 26-të të shitjeve përmes likuidimit. “Nuk janë ofruar analiza të nevojshme për t’i mbështetur veprimet e tilla e të cilat janë në kundërshtim me rregulloret e brendshme dhe duke deklaruar se ky vendim është e drejtë e Bordit të Drejtorëve”. /Telegrafi/