Në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike po shqyrtohet raporti vjetor i auditimit të Buxhetit të Kosovës për vitin fiskal 2022.
Auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca tha se ky raport ka opinion të kualifikuar, meqë vlera e gabimeve të identifikuara në pasqyra financiare ka qenë materiale.
“Shpenzimet në vlerë rreth 10,400,000€ janë klasifikuar në kategori jo adekuate. Prej tyre, si rezultat i buxhetimit jo adekuat janë keq klasifikuar 5,600,000€, për shkak të vendimeve gjyqësore afër 3,800,000€, ndërsa si të ndikuara nga vetë Organizatat Buxhetore vlera e keq klasifikimeve është afër 1,000,000€.
Megjithatë, në raport me vitin paraprak kishte përmirësime në vlerë prej 3 milion euro; Po ashtu, në pasqyrën e shpalosjeve, në shtojcat lidhur me pasuritë kapitale, llogaritë e arkëtueshme, detyrimet kontingjente dhe detyrimeve të papaguara të Raportit Financiar vjetor të buxhetit të shtetit kishte shpalosje të vlerave të gabuara në vlerë materiale. Nënvlerësimi i pasurisë është evidentuar në vlerë rreth 55,900,000€, nënvlerësim i llogarive të arkëtueshme afër 1,900,000€ si dhe mbivlerësim i detyrimeve kontingjente për 16,100,000€”, tha ajo.
Në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Spanca shtoi se janë 129 punonjës të komunitetit serbë të cilët janë paguar vitin e kaluar edhe pa u evidentuar në punë.
“Kryerja e pagesave në vlerë prej afër 800,000€, për punonjës të komunitetit serb të angazhuar në bazë të Marrëveshjes se Brukselit pa u evidentuar vijueshmëria e tyre në punë; Në krahasim më vitin e kaluar janë ndërmarrë disa masa. (Nga 199 sa ishin në vitin e kaluar, këtë vit kanë mbetur 129 punonjës të shpërndarë në 4 ministri”, shtoi ajo.
Auditorja e përgjithshme theksoi se borxhi shtetëror në fund të vitit të kaluar ka shënuar rritje për 4 për qind.
“Borxhi shtetëror në fund të vitit 2022, kishte arritur në vlerë 1,753,200,000€ apo rreth 20% e BPV-së (40% është e lejuar me ligj). Borxhi i brendshëm ishte 1,112,000,000€, ndërsa borxhi ndërkombëtar ishte 641,200,000€. Në raport me vitin e kaluar borxhi i përgjithshëm ka shënuar rritje për 4%. Sfidë mbetet mos efikasiteti në shfrytëzimin e fondeve të marra si hua të jashtme i shkaktuar kryesisht nga problemet me menaxhimin e projekteve infrastrukturore.
Niveli i shpenzimit të këtyre fondeve nga borxhi ndërkombëtar mbetet i ulët (për shtatë (7) projekte/kredi në vlerë prej 177,900,000€ të ratifikuara përgjatë viteve 2017 deri 2022, nuk janë tërhequr fare mjetet financiare). Në këtë nivel të ulët të shpenzimit ka ndikuar planifikimi jo i mirë i projekteve, vonesat në procesin e shpronësimeve si dhe mangësi tjera”, tha ajo para anëtarëve të këtij komisioni.
Spanca tha se shpenzimet për vitin 2022 ishin në vlerë prej më shumë se dy miliardë, ku ka pasur rritje prej 10 për qind./KP/