Prokuroria e Krimeve të Rënda do të thërrasë në pozitën e dëshmitarit gazetarin Jetmir Olldashi, i cili do të jetë një prej personave që do të merren në pyetje për audiopërgjimin me ‘dëshmitarin X’, shtetasin Albert Veliu.
Ditën e hënë në Prokurori do të paraqiten në orën 10:00 edhe zyrtarët e Partisë Demokratike, Ervin Salianji, Enkeleid Alibeaj dhe Gazmed Bardhi të cilët publikuan materialin e përgjimit, shkruan noa.
Me shumë interes priten përgjigjet që do japë gazetari Olldashi në Prokurori, pasi ai është personi që ka pasur në dorë i pari materialin e përgjimit.
Atij do t’i kërkohet materiali bruto nga ana e prokurorisë, verifikimi i të cilit mund të japë përgjigje për shumë pikëpyetje të ngritura, në radhë të parë mbi autenticitetin e audiopërgjimit.
Po ashtu, gazetari do të pyetet se si u lidh me “dëshmitarin X”, itinerarin që ndoqën në Vlorë dhe bisedat me vëllain e Ministrit të Brendshëm, Agron Xhafaj që akuzohet nga opozita për trafik droge.
Materiali bruto i përgjimit pritet t’i nënshtrohet ekspertizës nga Policia Shkencore por edhe nga vendet partnere.
Pritet të bëhet krahasimi i zërit të Agron Xhafajt dhe zërit që dëgjohet në material. /Telegrafi/