Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila para mediave në Kuvendin e Kosovës ka thënë se e ka denoncuar rastin e audio incizimeve të publikuara të mërkurën në Polici dhe në Prokurori.
Kusari-Lila këto incizime i cilësoi si të fabrikuara.
Ajo po ashtu tha se ” Kjo do të thotë një manipulim dhe një montazh e asaj natyre e cila synon të vë në dyshim dhe në pikëpyetje integritetin dhe personalitetin tim”.
“Asnjë komunikim nuk ka qenë më Listën serbe për Ligjin për Pagë minimale. Rrjedhimisht incizimet e mbrëmshme janë të fabrikuara për të cilat sot kam qenë në Policinë e Kosovës dhe Prokurori dhe për këto do të vazhdojë rasti. Kjo do t’i bashkangjitet rastit që vetëm vitin e kaluar e kam raportuar kallëzimin penal ndaj ish deputetit Sllavko Simiq. Do të thotë një manipulim dhe një montazh e asaj natyre e cila synon të vë në dyshim dhe në pikëpyetje integritetin dhe personalitetin tim”, ka thënë Kusari-Lila.
Ndryshe, në media të mërkurën janë publikuar disa audio-incizime të reja ndërmjet shefes së Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dhe ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq. /Telegrafi/