Site icon Telegrafi

Audio-incizimet e Kusari-Lilës me Milan Radoiçiqin, Kuvendi sot me seancë të jashtëzakonshme

Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancë të jashtëzakonshme pasi ditë më parë u publikuan audio-incizime të komunikimit të kryetares së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq.

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës është paparë të nisë në ora 12:00.

Kërkesën për debat e ka bërë kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiti, ndërkaq me mbështetjen e 42 deputetëve ka dorëzuar kërkesën për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës.

Ndryshe, edhe të enjten në vazhdimin e një seance të rregullt pati replika të ashpra në mes deputetes së LVV-së, Mimoza Kusari Lila dhe deputetëve të opozitës.

Ishte ish-deputeti i LVV-së, Haki Abazi i cili me fillim të seancës vendosi shiritin “Danger” në kohën kur nisi të fliste në foltore deputetja Kusari-Lila.

E shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila para mediave në Kuvendin e Kosovës ka thënë se e ka denoncuar rastin e audio incizimeve të publikuara të mërkurën në Polici dhe në Prokurori.

Kusari-Lila këto incizime i cilësoi si të fabrikuara. Ajo po ashtu tha se “kjo do të thotë një manipulim dhe një montazh e asaj natyre e cila synon të vë në dyshim dhe në pikëpyetje integritetin dhe personalitetin tim”.

“Asnjë komunikim nuk ka qenë më Listën Serbe për Ligjin për Pagë minimale. Rrjedhimisht incizimet e mbrëmshme janë të fabrikuara për të cilat sot kam qenë në Policinë e Kosovës dhe Prokurori dhe për këto do të vazhdojë rasti. Kjo do t’i bashkëngjitet rastit që vetëm vitin e kaluar e kam raportuar kallëzimin penal ndaj ish deputetit Sllavko Simiq. Do të thotë një manipulim dhe një montazh e asaj natyre e cila synon të vë në dyshim dhe në pikëpyetje integritetin dhe personalitetin tim”, ka thënë Kusari-Lila. /Telegrafi/

Exit mobile version