Pierre-Emerick Aubameynag ka thënë se VAR po e merr kënaqësinë e shënimit të golit, sidomos atë që e shënoi mbrëmë ndaj Manchester United në Ligën Premier.
Sulmuesi gabonez shënoi për t’i barazuar shifrat në 1-1 në pjesën e dytë, pasi golin e epërsisë për Djajtë e Kuq e kishte realizuar Scott McTominay në minutën e 45-të.
Aubameyang pranoi një asistim nga Bukayo Saka që e vuri përballë me David De Gea, mirëpo gjyqtari anësor e ngriti flamurin për pozitë jashtë loje, mirëpo pas rishikimit të VAR-it gjithçka kishte qenë në rregull.
“Isha i sigurt se nuk kishte pozitë jashtë loje. Unë u befasova kur gjyqtari vërshëlleu për pozitë jashtë lojë, mirëpo unë bëra punën time dhe shënova”, ka thënë sulmuesi i Arsenalit.
“Dëgjova tifozët që brohorisnin se ishte pozitë jashtë loje, por doli që të mos ishte, isha shumë i lumtur”.
“Po, natyrisht se VAR po e merr kënaqësinë e shënimit të golit, është një ndjenjë e çuditshme. Ju nuk mund të festoni 100 për qind, por është në rregull, jam i lumtur”, ka shtuar më tej Aubameyang.
Arsenali në xhiron e tetë do të përballet me Bournemouthin e që do të jetë një sfidë aspak e lehtë për Gunner. /Telegrafi/