Telegrafi

ATP Shanghai, favoritët vazhdojnë në çerekfinale

Roger Federer (Photo by Lintao Zhang/Getty Images/Guliver)

Vijon të dhurojë spektakël turneu i tenisit që po zhvillohet në Shangai, ku pretendentët kryesorë kanë arritur të marrin fitoret e radhës.

Kevin Anderson mundi disi me vështirësi Stefanos Tsitsipas me rezultatin 6-4, 7-6, në një ndeshje e cila zgjati 1 orë e 42 minuta.

Greku u mundua të jepte më të mirën e tij gjatë gjithë takimit, por përvoja e pakët në krahasim me kundërshtarin e tij bëri diferencën, gjë e cila u vu re në ‘tie-break-un’ e setit të dytë, ku Anderson fitoi 7-1.

Në çerekfinale, afrikano-jugori do të ndeshet me numrin 2 në botë, Novak Djokovic. Serbi fitoi me lehtësi kundër italianit Marco Cecchinato 6-4, 6-0, transmeton SuperSport.

Lexo po ashtu Lajmet për Tenis

Italiani u duk sikur luajti vetëm setin e parë, ndërsa në të dytin ishte hija e vetvetes, duke mos mos arritur të marrë qoftë edhe një game.

Roger Federer (Photo by Lintao Zhang/Getty Images/Guliver)

Sukses edhe për legjendën Roger Federer. Zvicerani vuajti kundër Roberto Bautista-Agut, ku takimi përfundoi me rezultatin 6-3, 2-6, 6-4, dhe e gjithë ndeshja zgjati 1 orë e 54 minuta.

Pasi fitoi me lehtësi në setin e parë, Federer humbi në mënyrë surprizë të dytin. Në setin e tretë, 37 vjeçari fitoi ‘game-in’ e parafundit ku shërbente spanjolli, i cili rezultoi të ishte vendimtar.

Çerekfinalet do të rezervojnë një ndeshje jo të thjeshtë për zviceranin, i cili do të përballet me japonezin Kei Nishikori.