Lucas Hernandez nuk do të largohet nga Atletico Madrid gjatë afatit kalimtar të janarit.
Kështu së paku kanë deklaruar drejtuesit e klubit madrilen, që nuk do ta lënë të lirë yllin e tyre të largohet në afatin dimëror për transferime.
Mediat gjermane dhe ato spanjolle e kishin bërë fakt të kryer transferimin e mbrojtësit francez tek Bayern Munich.
Ka qenë drejtori i klubit spanjoll, Miguel Angel Gil Marin që ka konfirmuar qëndrimin e Hernandezit.
“Lucas nuk do të largohet gjatë kësaj periudhe të transferimeve dimërore nga klubi”.
“Ne kemi një marrëdhënie të shkëlqyeshme me Bayernin dhe do të takohemi me ta në janar nëse lojtari dëshiron t’iu bashkohet atyre”.
“Do të takohemi pa ndonjë problem për të biseduar rreth transferimit të Hernandezit, por vetëm për korrik pasi në janar nuk do ta lëmë të lirë”, ka thënë Gil Marin.
Besohet se Bayern Munich do të paguajë rreth 50 milionë euro për transferimin e mbrojtësit të majtë në Allianz Arena.
Me transferimin te Bayernit, Hernandez do të fitojë rreth nëntë milionë euro pagë vjetore, që është dyfishi më e madhe se që fiton aktualisht tek Atletico Madrid. /Telegrafi/