Telegrafi

Atletico Madridi triumfon në derbi e javës ndaj Barcelonës

Atletico Madridi ka arritur të fitojë mes shumë vështirësive ndaj Barcelonës me rezultat 1-0 në ndeshjen e vlefshme për javën e dhjetë në La Liga.

Ekipi i Diego Simeones ka arritur të tregohet ‘arrë e fortë’ për ekipin e Ronald Koeman duke triumfuar në ndeshjen derbi të zhvilluar në Wanda Metropolitano.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë të barabartë nga të dyja skuadrat, por ishin vetëm vendasit që gjeten golin.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutat shtesë dhe ishte Yannick Carrasco, i cili shënoi për 1-0 pas një veprimi të mirë dhe një dalje të keqe të portierit Marc-Andre Ter Stegen.

Barcelona në këtë pjesë rrezikoi me anë të Antoine Griezmann (3’) dhe Lionel Messi (41’), por pa arritur ta gjejnë cakun.

Në pjesën e dytë, Barcelona ishte më e mirë, duke menaxhuar lojën dhe duke rrezikuar disa herë, por pa arritur ta gjejnë golin.

Katalunasit provuan me anë të Clement Lenglet (58’) dhe Griezmann (82’), por në të dy rastet vendimtar ishte portieri Jan Oblak me pritjet e tij duke mos lënë të barazohet rezultati dhe Atletico në fund fitoi 1-0.

Pas kësaj fitore, Atletico e sheh veten në pozitën e dytë me 20 pikë po aq sa Real Sociedadi i pari, ndërsa Barca zë vendin e 10-të me 11 pikë.

Në ndeshjen e radhës, Barcelona e pret në shtëpi Osasunan, ndërsa Atletico udhëton te Valencia. /Telegrafi/