Telegrafi

Atletico Madrid po përgatitë ofertë të lartë për transferimin e Vedat Muriqit

Vedat Muriqi mund të largohet nga Mallorca gjatë afatit kalimtar të janarit.

Sulmuesi kosovar ka shkëlqyer me fanellën e ishullorëve në pjesën e parë të sezonit në La Liga me gola e asistime.

Në fakt në 15 ndeshje deri më tani mes kampionatit dhe Kupës së Mbretit, prizrenasi ka realizuar nëntë gola e ka asistuar në dy të tjerë.

Lajmet e fundit që vijnë nga Spanja, ku ‘Fichajes’ ka raportuar se Los Colochneros janë të gatshëm të bëjnë një ofertë zyrtare në drejtim të Mallorcas për reprezentuesin kosovar.

Madrilenët kanë larguar sulmuesin Matheu Cunha derisa rrugës së tij është edhe Joao Felix dhe janë në kërkim të një qendërsulmuesi si zëvendësues të Alvaro Moratas.

Reprezentuesi kosovar shihet si ideali për ta mbuluar repartin ofensivë dhe pëlqehet jashtëzakonisht shumë nga Diego Simeone, pasi Muriqi i kishte shënuar edhe gol Atleticos këtë edicion.

Gjithnjë sipas ‘Fichajes’, Los Colochneros janë të gatshëm ta testojnë Mallorcan me një ofertë prej 15 milionë euro për transferimin e Muriqit.

28-vjeçari vlerësohet shumë nga klubi i tij dhe ata do të rezistojnë për ta lënë të lirë.

Gjithsesi sulmuesi kosovar po kërkohet edhe nga Real Madridi në La Liga dhe Aston Villa në Ligën Premier. /Telegrafi/