Site icon Telegrafi

Atlernativa kërkon nismë “Asociacioni i Komunave më shumicë shqiptare në Maqedoninë e Veriut!”

Alternativa u bën thirrje partive shqiptare BDI, ASH dhe BESA, parti këto që drejtojnë Komuna në RMV, të ngrejnë nismën për themelimin e Asociacionit të Komunave Shqiptare në RMV. Sipas Alternativës, ky Asociacion do të kishte po ato kompetenca që bashkësia ndërkombëtare kërkon t’i ketë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

“Në kohën që Kosova gjendet para marrëveshjes finale për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe kur secili diplomat perëndimor që vjen në Prishtinë e përsërit refrenin “të bëhet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë!”, pyetja që duhet të shtrohet është se pse partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ato që kanë komuna (BDI, ASH dhe BESA), nuk e ngrenë një iniciativë për themelimin e Asociacionit të Komunave Shqiptare në Maqedoninë e Veriut po me ato kompetenca që bashkësia ndërkombëtare kërkon t’i ketë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë” – thuhet në komunikatën e Alternativës.

Sipas Alternativës, aleatët tanë perëndimor janë ata që e kërkojnë këtë nga Kosova, me pretendeime se kjo është në frymën perëndimore.

“Shumë mire atëherë. Ta bëjmë edhe ne në Maqedoninë e Veriut një Asociacion në këtë frymë perëndimore! Ja një kauzë që mund t’i bashkojë të gjitha partitë shqiptare, madje edhe Alternativën që nuk ka komunë. Ta fillojmë që sot nismën “Asociacioni i Komunave më Shumicë Shqiptare në Maqedoninë e Veriut!” Reciprocitet i bukur dhe, njëherazi, europian, apo?! Mbase kështu arrijmë edhe te tema e reciprocitetit gjuhësor mes shqipes në Maqedoninë e Veriut dhe serbishtes në Kosovë” – thuhet në komunikatën e Alternativës, nënshkruar nga Sekretari i Përgjithshëm, Zeqirija Ibrahimi.

Exit mobile version