Telegrafi

Atkinson nuk do të paraqitet më në rolin e Mr. Bean

Rowan Atkinson (Photo by Eamonn M. McCormack/Getty Images)

Rowan Atkinson ka bërë të ditur se nuk do të paraqitet më në rolin ikonik të Mr. Bean.

Komiku i njohur britanik ka qenë mysafir në emisionin e Graham Nortonit, ku ka theksuar se karakteri i popullarizuar nuk do të shfaqet më.

“Nuk besoj se do të paraqitet sërish. Vjen një pikë kur e kuptoni se keni dhënë gjithçka që keni mundur, por kurrë mos thuaj kurrë”, është shprehur 63-vjeçari, citon Standard.

Aktori ka treguar se edhe sot e kësaj dite njerëzit e ndalin në rrugë dhe i thonë se ngjan shumë me Mr. Bean.

Lexo po ashtu Lajmet për Rowan Atkinson

“Kur i thash (njërit prej fansave) se unë jam aktori që e ka luajtur Mr. Bean, më tha: ‘Natyrisht se do të doje të ishe. Ngjashmëria është aq e madhe, saqë mund të punosh si dubler i tij. Do të bëheshe i pasur’”, ka treguar Atkinson.

Edhe pse publiku e njeh si një njeri shumë komik, aktori ka thënë se në jetën private nuk është aspak argëtues.

“Mr. Bean” është një komedi televizive britanike e krijuar nga Rowan Atkinson dhe Richard Curtis në vitet e nëntëdhjeta.

Atkinson e ka luajtur rolin e karakterit kryesor, Mr. Bean, si edhe ka qenë njëri prej tre skenaristëve, krahas Curtis dhe Robin Driscoll. /Telegrafi/