Administrata Tatimore e Kosovës vazhdon me punën në drejtim të rritjes së mbledhjes së të hyrave tatimore të cilat ndikojnë në zhvillimin ekonomik të vendit.
Në njoftim thuhet se mjedisi në të cilin ATK vepron është kompleks dhe vazhdimisht pëson ndryshime, andaj kjo e detyron Administratën Tatimore që të reagojë paanshëm në përputhshmëri me legjislacionin në fuqi.
“Pikërisht në kuadër të kësaj, plani i të hyrave fokusohet në qëllimet strategjike si: përmirësimi i mbledhjes së të hyrave dhe zvogëlimi i hendekut tatimor. Pastaj, forcimi i përmbushjes vullnetare në të gjitha segmentet e tatimpaguesve vazhdon të mbetet prioritet kryesor, duke u siguruar që tatimpaguesit paguajnë shumën e saktë tatimore, dhe të ndërmerren veprimet e duhura ndaj tatimpaguesve mos – përmbushës.
Në periudhën janar – korrik/2023, të hyrat e grumbulluara janë 514.8 milionë euro, nëse i krahasojmë me periudhën e njëjtë të vitit 2022, kemi rritje mbi 78.9 milionë euro më shumë apo 18.1%”, thuhet në njoftim.
ATK falënderon të gjithë tatimpaguesit, të cilët i kryejnë saktë dhe me kohë obligimet tatimore dhe njofton tatimpaguesit jo përmbushës se do të merren të gjitha veprimet ligjore për mos pagesë të tatimit, siç parashihet me dispozita ligjore. /Telegrafi/