Telegrafi

ATK tejkalon planin e parashikuar

Bazuar në njoftimin zyrtar të ATK-së shuma e përgjithshme e të hyrave të arkëtuara për periudhën janar-prill 2009, është 75.8 milionë euro, ose 14 milionë euro më shumë se plani i paraparë prej 61.8 milionë euro, që nënkupton një ngritje prej 22.5 %.

“Nëse krahasojmë të hyrat e kësaj periudhe me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, edhe përkundër ndryshimit të shkallëve tatimore, të hyrat janë në raport të njëjtë me vitin e kaluar”.

ATK po ashtu ka njoftuar se, rezultatet e arritura në këtë periudhë kohore, duke pasur parasysh edhe krizën financiare globale, janë të kënaqshme.

“Faktorët që kanë ndikuar në realizimin e të hyrave në këtë periudhë janë: Rritja e shkallës së vetë-deklarimit, komunikimi më i mirë me tatimpagues, ofrimi i shkarkimit të deklaratave nga Ueb-faqja, ndryshimi i ligjeve tatimore, i cili ofron një klimë më të qëndrueshme për të gjithë tatimpaguesit, transparenca, rritja e besueshmërisë, menaxhimi më efikas i procesit të kontrollit dhe mbledhjes së borxheve, si dhe bashkëpunimi me institucionet e tjera”. /Telegrafi/