Telegrafi

ATK synon veriun

Ruzhdi Zenelaj, menaxher në ATK, tha se totali i identifikuar i serbëve të regjistruar është 1030 numra fiskalë, ku prej tyre 907 janë individualë ndërsa 123 janë biznese. Ai ka thënë se synim i ATK-së mbetet hapja e një zyre nga ana e ATK-së ku edhe veriu i vendit do të mund të inkuadrohet direkt në pagesën e tatimeve ndaj ATK-së.

“Ne kemi pasur një zyrë në veri të vendit por ajo është mbyllur, tani synim i ATK-së mbetet hapja e një zyre në veri ku edhe ajo pjesë do të jetë direkt e inkuadruar në pagesën e tatimeve”, ka thënë ai.

Ndërsa sipas zëdhënësit të Doganave të Kosovës Adriatik Stavilecit, ekzistojnë njësi të veçanta të doganave që bashkëpunojnë vazhdimisht me ATK-në dhe me Policinë e Kosovës, ku bëhen kontrolle të vazhdueshme në raste të caktuara.

Ai ka thënë se ekzistojnë disa zyra të Doganave ku shfrytëzohen edhe nga ana e ATK-së lidhur me implementimin e serbëve të vendit për t’i paguar tatimet. “Jemi duke punuar vazhdimisht me ATK-në dhe Policinë, për t’i implementuar edhe në veri të Mitrovicës zyrat tona që edhe ajo pjesë të jetë tatimpaguese e rregullt”, është shprehur Stavileci.

Ndërsa Zenelaj ka shtuar se në shumë komuna serbe ATK-ja ka zyra speciale me inspektorë serbë të cilët do të kryejnë procesin e rekrutimit të tyre. Ai ka shtuar se gjatë bashkëpunimeve me Doganat dhe policinë e vendit ATK-ja asnjëherë nuk do të rrijë duarkryq, por do të vazhdojë kontrollin në veri të vendit dhe, siç ka thënë ai, në njëfarë mënyre me anë të këtyre aktiviteteve do të mundohen t’i detyrojnë të paguajnë edhe serbët e veriut.

Ai e ka quajtur veriun e vendit si një problem politik, ku ATK-ja nuk e ka hapësirën e duhur që të funksionojë në atë pjesë. “Ne vazhdimisht po bëjmë përpjekje, por nuk e kemi hapësirën e duhur për të funksionuar në atë pjesë të vendit”, thksoi Zenelaj. /Zëri/Telegrafi/