Telegrafi

ATK: Projekti i arkave fiskale, sipas planit

Drejtori për Modernizim dhe Planifikim Strategjik në ATK, Nahit Sharku thotë se një numër i madh i tatimpaguesve janë pajisur me arka fiskale.

“Projekti i arkave fiskale është në proces. Deri më tani kemi instaluar pajisje fiskale në rreth 11 mijë biznese. Gjithsej janë rreth 15 mijë pajisje fiskale dhe deri në fund të vitit ne planifikojmë t’i fiskalizojmë rreth 20 mijë biznese, apo të instalojmë rreth 25 mijë pajisje fiskale”, ka thënë Sharku për Radio Kosovën.

Nga nëntori i vitit të kaluar është instaluar sistemi dhe moduli që pranon informatat dhe shënimet nga arkat fiskale.

Por, njohësit e çështjeve ekonomike dhe përfaqësuesit e komunitetit të biznesit kritikojnë këtë proces, duke thënë se ka ndikuar në mbylljen e shumë bizneseve, si dhe në zvogëlimin e ekonomisë joformale.

Drejtori i Institutit për Studime të Avancuara, GAP, Agron Demi, thotë se bizneset kanë pasur vështirësi gjatë këtij procesi, sidomos për shkak të kostos së lartë të arkave.

“Ndoshta do të ishte më mirë që Qeveria të gjente një metodë më të lirë për këto biznese, t’iu ofrojë falas këto arka fiskale, me një garanci se ato biznese do t’i ruajnë dhe do t’i kthejnë nëse mbyllen”, thotë Demi.

Në raportin e Bankës Botërore “Të bësh biznes 2011” thuhet se numrat fiskal dhe arkat fiskale, për shkak të procedurave burokratike, e kanë ngadalësuar zhvillimin e bizneseve dhe regjistrimin e bizneseve të reja.

Ndryshe, sipas agjencisë për regjistrim të bizneseve, në Kosovë janë të regjistruara mbi 100 mijë biznese, prej të cilave rreth 60 mijë janë të pajisura me numra fiskalë. /Telegrafi/