Administrata Tatimore e Kosovës ka mbledhur 579.2 milionë euro të hyra gjatë periudhës janar-gusht të këtij viti, ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit të premten.
Sipas njoftimit për media, ATK-ja ka pasur performancë të shkëlqyeshme pasi në krahasim mes periudhave të njëjta 2022-2023, të hyrat janë rritur për 92 milionë euro.
“Këto rezultatet pozitive tregojnë një përmirësim të qëndrueshëm të punës së këtij institucioni kyç për të hyrat shtetërore. Përmes kësaj mbledhjeje të të hyrave, Administrata Tatimore e Kosovës është përqendruar në ngritjen e performancës së saj në përmbushjen e objektivave të planifikuara dhe të menaxhuara me përgjegjësi”, thuhet në komunikatë.
Sipas Qeverisë, disa nga objektivat kryesore që kanë dhënë efekt janë përmirësimi i efikasitetit, zbatimi i ligjit dhe ngritja e integritetit, ndërveprimi me publikun dhe automatizimi i proceseve të punës.
“ATK ka arritur të rrisë efikasitetin e punës së saj në proceset e mbledhjes së të hyrave, duke zvogëluar kohën e pritjes për tatimpaguesve dhe duke lehtësuar procedurat e tyre. ATK e ka të theksuar zbatimin e ligjit dhe ruajtjen e integritetit në të gjitha nivelet e punës së saj, duke garantuar transparencën dhe drejtësinë në trajtimin e tatimpaguesve. Institucioni ka ngritur ndërgjegjësimin e publikut në lidhje me tatimin dhe ka ndërtuar marrëdhënie të mira me tatimpaguesit, si dhe me qytetarët. Përdorimi i teknologjisë dhe automatizimi i disa proceseve ka ndihmuar në zvogëlimin e gabimeve dhe në lehtësimin e punës së administratës, në veçanti të marrjes së shërbimeve nga tatimpaguesit”.
Tutje, bëhet e ditur se rezultatet pozitive të kësaj mbledhjeje tregojnë angazhimin e Administratës Tatimore të Kosovës për të përmbushur detyrat e saj në mënyrë të ndërgjegjshme dhe profesionale.
“Ky është një përmirësim i rëndësishëm në zhvillimin e sistemit tatimor të vendit, i cili ndihmon në sigurimin e burimeve të nevojshme për të përmirësuar shërbimet publike”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/