Site icon Telegrafi

ATK-ja rritë të hyrat vjetore për 30 milionë euro

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka shtuar të hyrat vjetore në vitin 2015 për afër 30 milionë euro, krahasuar me një vit paraprak.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti dhe drejtori i ATK-së, Sakip Imeri e ka prezantuar arritjet e deritashme të ATK-së dhe planin e punës për vitin 2016. Hoti ka thënë se gjatë këtij viti është ndryshuar trendi i të ardhurave tatimore, krahasuar me vitet e kaluara.

Ai është shprehur se edhe për vitin 2016, Ministria e Financave ka një plan ambicioz për rritjen e të hyrave të rregullta, pa llogaritur inkasimin e borxheve. Kurse drejtori i ATK-së, Sakip Imeri e ka prezantuar planin e punës për vitin 2016, derisa ka shtuar se nga dje MF e ka zbritur interesin për tatimpaguesit që kanë ngecje në pagesën e tatimeve nga rreth 9 në 8.4 për qind.

Ai ka thënë se gjatë vitit të kaluar, ATK ka shënuar tejkalim të planit sa i përket të hyrave tatimore. Imeri është shprehur se edhe rimbursimi me kupon fiskal i cili është bërë me vendim të Qeverisë ka pas efekt të madh në llogaridhënien e bizneseve për qytetarë.

Sipas tij, për tremujorin e fundit pritet që t’u paguhen rreth 2 milionë euro qytetarëve për kupon fiskal. /Telegrafi/

Exit mobile version