Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), deri më tani ka arritur të mbledhë 381.9 milionë euro ose 91% e planit për këtë vit.
Sakip Imeri, drejtor i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, tha se në këtë vit nga janar deri në nëntor 2017, ka rritje të të hyrave që është rezultat i ngritjes së nivelit të përmbushjes vullnetare të tatimpaguesve, punës së palodhshme të zyrtarëve të administratës tatimore, modernizimit të shërbimeve tatimore dhe rritjes së komunikimit me tatimpaguesit.
“Trendi i të hyrave ka shënuar rritje për 22.7 milionë euro ose 6.3 % më shumë, nëse e krahasojmë me periudhën e njëjtë me vitin e kaluar, ku deri më tani janë inkasuar të hyra në vlerë prej 381.9 milionë euro ose 91% e planit për këtë vit”, tha ai sot në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë’, në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).
Sipas tij, në 2017-n në përgjithësi ATK-ja ka pasur shumë sukses dhe sfida të ndryshme.
Ai bëri tha se teknologjia ka bërë që të ketë efekt edhe në deklarimin elektronik të tatimpaguesve.
“Ne jemi shumë të kënaqur me vlerësimet e raporteve ndërkombëtare, si ai i Fondit Monetar Ndërkombëtar, UNDP-së dhe Komisioni Evropian, të cilat kanë vlerësuar se ATK po shënon progres të vazhdueshëm në realizimin e objektivave strategjike dhe operative”, tha ai.