Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), konkretisht Divizioni i Lojërave të Fatit duke vepruar në përputhje me planin operativ dhe në bashkëpunim me Policin e Kosovës dhe Doganën e Kosovës, ka zhvilluar aksion për kontrollin e lokaleve që ushtronin veprimtari të lojërave të fatit, në komunën e Prishtinës.
Gjatë këtij aksioni inspektorët tatimor, kanë hasur në subjekte të lojërave të fatit që ushtrojnë aktivitete në kundërshtim me Ligjin Nr. 04/L-080 për Lojërat e Fatit.
Nga të gjeturat në teren, konstatohet se subjektet kanë ushtruar veprimtarin e tyre si bastore sportive pa u pajisur me licencë nga Administrata Tatimore e Kosovës, si dhe gara me qen, veprimtari e cila është e ndalur me Ligjin për Lojërat e Fatit.
Për parregullsitë e evidentuara janë shqiptuar gjoba të parapara me ligjin në fuqi, si dhe është bërë mbyllja e lokaleve, deri në përmbushjen e kritereve për ushtrimin e veprimtarisë së tyre.
Administrata Tatimore, në mënyrë që të jetë edhe më e suksesshme në zbatim e ligjit Nr. 04/L-080 për Lojërat e Fatit, si dhe ligjet tjera tatimore në fuqi, mbetet e hapur për bashkëpunim me qytetarët dhe institucionet tjera të zbatimit të ligjit.
Për këtë qëllim ftojmë qytetarët që të gjitha informatat e korrupsionit në lidhje me ATK-në dhe evazionin fiskal, t’i paraqesin në linjën pa pagesë 0800-80-800. /Telegrafi/