Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka mbajtur një takim me bizneset e mëdha që merren me tregtimin e karburanteve. Në këtë takim, të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe Shoqata e Naftëtarëve. Sipas një njoftimi të ATK-së, qëllimi i këtij takimi ishte njoftimi me ecurinë e përgjithshme të procesit të fiskalizimit, me theks të veçantë fiskalizimi i bizneseve që tregtojnë karburante.
Zyrtarë nga Administrata Tatimore nënvizuan se ATK mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive që dalin nga legjislacioni tatimor, kërkesa këto të përcaktuara me ligj për të regjistruar transaksionet përmes pajisjeve elektronike fiskale dhe të lëshimit te kuponëve fiskal, me rastin e shitjes së mallrave dhe shërbimeve, në mënyrë që të mos bëhen objekt i masave ndëshkuese, të parapara me Ligjin mbi Administratën Tatimore dhe Procedurat.
Kjo përmirëson aftësinë e Administratës Tatimore, për t’u siguruar që të gjithë tatimpaguesit përmbushin obligimet e tyre tatimore dhe raportojnë me saktësi të ardhurat e tyre. Administrata Tatimore ka obligim dhe detyrë të vendosur me ligj, që të sigurojë zbatim të njëtrajtshëm të dispozitave ligjore për të gjithë tatimpaguesit, në mënyrë të njëjtë për situata të njëjta, thuhet në njoftimin e ATK-së. /Telegrafi/