Administrata Tatimore e Kosovës ka prezantuar të hyrat dhe veprimet e ndërmarra gjatë këtij viti, ku sipas të dhënave administrata ka mbledhur 393 milionë euro, ndërkaq, në emër të kontributeve pensionale janë mbledhur 135 milionë.
Drejtori i kësaj administrate, Sakip Imeri ka thënë se nga efektet e pakos fiskale, bizneset kanë përfituar lirime në vlerë prej 47 milionë euro. Ai ka shtuar se nga veprimet e ndërmarra prej ATK-së pas dallavereve të mëdha me mashtrimet me fatura, kanë arritur të mblidhen 8 milionë euro.
“Në vitin 2011 është konstatuar një mashtrim tatimor që po iu bëhet tatimpaguese përmes lëshimit të faturave fiktive, faktuarve jo të vërteta , janë trajtuar 56 subjekte të dyshuara për transaksione fiktive , 6 subjekte kanë lëshuar fatura fiktive. Dëmi që iu është shkaktuar buxhetit përmes këtyre 6 subjekteve, sigurisht që është supozim prej faktit se ato që janë trajtua efekti i tyre është mbi 8 milionë euro të hyra të konstatuara vetëm nga këto aktivitetet e 56 kompanive.”, tha Imeri.
Imeri ka thënë se kjo veprimtari ka dëmtuar shumë këtë administratë, ndërkaq, ka thënë se si një nga masat preventive të ndërmarra nga janari do të lëshohet për përdorim aplikacioni që mundëson deklarimin e TVSH-së nga librat e shitjes dhe blerjes përmes deklarimit elektronik EDI. Për shkak të shkeljes së detyrave të punës brenda këtij viti janë marrë masa disiplinore për 33 punonjës të saj.
Po ashtu, Imeri ka treguar se edhe në katër komunat që ndodhen në veri të Mitrovicës, ka biznese që janë të pajisur me numër fiskal.
“ATK ka qasje në gjithë territorin e Kosovës. Në atë pjesë ku bëjnë pjesë katër komuna në pjesën veriore , Zveqan , Zubin Potok, Leposaviq dhe Mitrovicën e veriut, kemi mbi 1 mijë e 300 biznese që kanë numër fiskal marrin pjesë me 11.4 % të të hyrave në buxhetin regjionit të Mitrovicës, ndërsa, si numër marrin pjesë me 17 % në numrin e përgjithshëm të bizneseve . Qasja norma nuk është e lehtë sikurse në pjesët tjera”, tha Imeri.
Sipas tij, ATK vetëm nga borxhet këtë vit i ka inkasuar 54 milionë euro, ndërsa, ligji për faljen e borxheve janë inkasuar 13 milionë euro, 3 milionë euro më shumë se sa ka qenë e paraparë. Ndërsa, 33 zyrtarë të ATK, kanë qenë në masa disiplinorë gjatë vitit 2016. /Telegrafi/