Site icon Telegrafi

ATK fali 238 milionë euro borxhe, inkasoi 35 milionë euro (Video)

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), u ka falur borxhlinjve të saj mbi 238 milionë euro. Shlyerja e borxheve është mundësuar nga Ligji për faljen e Borxheve ku ATK ka inkasuar për buxhetin shtetit 35 milionë euro.

Drejtori i ATK-së, Sakip Imeri, ka thënë për Telegrafin se Ligji për Faljen e borxheve i cili ka qenë në fuqi deri më 31 gusht 2017, ka mundësuar pastrimin e listave të borxhlinjve.

“Ligji për faljen e Borxheve, ka zgjatur për tre vite, ku janë pastruar listat dhe janë falur 238.7 milionë euro. Sipas tatimeve dominojnë: Tatimi i paragjykuar, takimi në TVSH me 97 milionë euro, tatimi në fitim me 23 milionë euro, tatimi në korporata – 22.5 milionë euro, tatimi në të ardhura personale – 22 milionë euro, si dhe pensionet janë rreth 5 milionë euro borxhe të falura. Efektet nga falja e këtyre borxheve në të hyra janë 35 milionë euro, të cilat kanë mundur të jenë tatime të humbura për buxhetin e shteti”, tha ai.

Edhe pse u janë shlyer borxhet ende ka kompani dhe ndërmarrje shoqërore që kanë borxhe ndaj ATK-së.

“Të gjitha borxhet ndaj ATK-së janë në vlerë të 313 milionë euro, ne kemi pasur faljen e borxheve nga i cili kemi inkasuar edhe të hyra. Nëse një biznes ka borxhe dhe nuk inkasohen ato për një periudhë 6 vjeçare dhe nëse nuk e ka ndonjë kontest ligjor, borxhi nuk është i mbledhshëm pas asaj periudhe sepse ATK-ja ka kufizime ligjore”, ka bërë të ditur Imeri. /Telegrafi/

Exit mobile version