Site icon Telegrafi

ATK dhe Prokurori i Shtetit bisedojnë për luftimin e evazionit fiskal

Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Ilir Murtezaj, ka takuar sot kryeprokurorin e shtetit, Aleksandër Lumezi, me të cilin ka biseduar për aspektet që ndërlidhen me parandalimin dhe luftimin e veprave penale të evazionit fiskal, dukuri këto që dëmtojnë në masë të madhe ekonominë e vendit.

Gjatë këtij takimi ata diskutuan edhe për thëllimin e bashkëpunimit ndërinstitucional mes Administratës Tatimore të Kosovës dhe Prokurorit të Shtetit.

Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Ilir Murtezaj, tha se prioritet i tij është luftimi dhe parandalimi i evazionit fiskal, dhe për këtë ai tha se është e nevojshme mbështetje nga Prokuroria e Shtetit.

Ndërkaq, kryeprokurori, Aleksandër Lumezi, ka potencuar se prioritet kryesor i Prokurorit të Shtetit është luftimi i krimit të organizuar, korrupsionit, krimeve ekonomike, krimeve financiare dhe veprave të tjera penale, me ç’rast tha se ATK do të ketë përkrahje të plotë në këtë drejtim.

Siç njoftohet, të dyja palët u pajtuan që të angazhohen në intensifikimin e bashkëpunimit në mes këtyre dy institucioneve, në funksion të rritjes së efikasitetit në luftën kundër korrupsionit, krimeve ekonomike dhe financiare. /Telegrafi/

Exit mobile version