Telegrafi

ATK dhe Doganat e Kosovës në funksion të biznesit

Kryetari i OEK-ut Besim Beqaj ka deklaruar se në ATK dhe DK ka ndryshime pozitive të cilat po ndikojnë edhe në lehtësimin e punës dhe afarizmit të bizneseve dhe se institucioni që ai drejton është angazhuar qe maksimalisht të kontribuoj në disiplinën financiare, por edhe për respektimin e rregullave.

“Ne nuk dëshirojmë që bizneset të dënohen apo të trajtohen ne mënyrë jo korrekte. Duhet pas parasysh faktin se këto ndërmarrje janë krijues të mirëqenies, punësimit andaj edhe në këtë drejtim në mënyrë pozitive duhet të trajtohen”.

Drejtori i ATK-së Behxhet Haliti i njoftoi përfaqësuesit e biznesit lidhur me angazhimin e ATK që të jetë sa më funksionale dhe më afër bizneseve vendore.

“ATK, posaçërisht në këtë tremujorin e fundit është duke zhvilluar aktivitet në disa drejtime. Në radhë të parë për përmbushjen e objektivave dhe planeve për të cilat është krijuar”, tha Haliti duke shtuar se vend i veçantë në këtë drejtim zënë kompletimi i pakos së re ligjore e cila në bashkëpunim me komunitetin e biznesit është aprovuar vitin e kaluar, tha drejtori i ATK-së.

Ai theksoi se aktualisht është duke u punuar intensivisht në procesin e përcaktimit dhe furnizimit të bizneseve me numër fiskal dhe projektit të arkave fiskale
Aktiviteti kryesor në vendosjen e arkave fiskale, sipas Halitit do të ndodh gjatë vitit 2010.

Haliti theksoi se ATK ka identifikuar mbi 21 mijë biznese joaktive, të cilat në mënyrë fiktive janë të regjistruara në MTI, ndërsa ende nuk kanë deklaruar asnjë transaksion financiar.

Haliti tërhoqi vërejtjen që bizneset mos të bëjnë marrëdhënie debitore e kreditore me këto biznese, pasi që faturat e tyre nuk do të merren parasysh. Ai paralajmëroi se ditëve në vijim do të publikohen listat e edhe afro 5 mijë bizneseve tjera të cilat ende gjithashtu janë joaktive.

Drejtori i përgjithshëm i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica theksoi se doganat janë duke avancuar për ditë e më shumë dhe se kanë për qëllim që përveç vjeljes së taksave të sigurojnë shërbime sa më kualitative për komunitetin e biznesit.

“Jemi në proces të nënshkrimit te marrëveshjeve bilaterale me më shumë se 18 shtete, me të gjithë partnerët tregtar të Kosovës. Kjo do të ketë dy përparësi. E para, do ta lehtëson edhe më shumë punën dhe njëkohësisht do ta rrit efektet në mbledhjen e të hyrave.”, tha Huruglica.

Ai gjithashtu paralajmëroi licencimin dhe autorizimin e agjentëve doganor, pasi që deri më tash ka ndodh që pjesë e veprave kundërvajtësve dhe penale të kryera në kufi të janë edhe a agjentët doganor. /Telegrafi/