Site icon Telegrafi

ATK bllokon fiskalizimin

Procesi i pajisjeve me aparate elektronike fiskale thuajse është bllokuar në tërësi. Me qëllim që procesi i fiskalizimit të përshpejtohej, ministri i Financave, Avdullah Hoti, rreth një muaj më parë me nënshkrimin e tij ka fuqizuar UA Nr. 01- 2015. Por, edhe përkundër ndryshimeve në letër që ky Udhëzim Administrativ ka sjellë, në terren procesi i fiskalizimit është në një bllokadë totale.

Këtë e tregojnë edhe shifrat zyrtare të cilat gazeta “Zëri” i ka siguruar nga Doganat e Kosovës. Ku shihet se që nga data 1 prill deri tani, në Doganat e Kosovës janë regjistruar si të importuara vetëm 70 pajisje fiskale.

Se nuk ka interesim të bizneseve për fiskalizim e kanë konfirmuar edhe nga Shoqata e Operatorëve të Licencuar për arka fiskale.

Blerta Nikqi, zëdhënëse në këtë institucion, ka thënë se që nga hyrja në fuqi e UA e deri më 17.04.2015, janë fiskalizuar 108 biznese dhe janë vendosur 135 PEF. Por, ndryshe prej ATK-së deklarojnë nga Shoqata e Operatorëve të Licencuar për arka fiskale. Kestrin Kumnova nga kjo Shoqatë, ka deklaruar se gjendja në terren që nga hyrja në fuqi e Udhëzimit të ri Administrativ nuk ka ndryshuar.

Sipas tij, nuk është vërejtur ende ndonjë interesim i bizneseve për t’u pajisur me arka fiskale. Në mungesë të njohurive se si të zbatohej Udhëzimi Administrativ Nr. 01 – 2015, përfaqësuesit e katër kompanive që shesin arka fiskale “Gekos”, “Printec”, “Dukagjini” dhe “R&T”, kishin kërkuar takim me zyrtarë të ATK-së. Pasi që nuk kishin marrë përgjigje, operatorët ekonomikë që merren me shitjen e arkave fiskale kishin bojkotuar punën e tyre për 2 javë. Pas këtij presioni, ATK-ja kishte thirrur në takim përfaqësuesit e kompanive të licencuara për pajisje fiskale. Në atë takim që u mbajt javën e kaluar, ATK-ja ishte zotuar se do të ndërmarrë masa që fiskalizimi të përshpejtohet. Por, Kumnova thotë se këto kompani janë në pritje pasi investimet e tyre në stoqe janë shumë të larta dhe të njëjtat janë të bllokuara tash e sa vite.

Me Udhëzimin Administrativ që tashmë ka hyrë në fuqi, 4 operatorët e licencuar në vitin 2009, konsiderohen të jenë të autorizuar për zhvillimin e procesit të fiskalizimit të tatimpaguesve. Por, te neni 13 i këtij UA, thuhet se “brenda periudhës që lidhet me kontrollin e rregullt të PEF-ve, këta operatorë duhet të përtërijnë autorizimin nga Njësia për Menaxhimin e Arkave Fiskale. Por, këtë njësi ende nuk arritur ta formojë ATK-ja. Nga Administrata Tatimore e Kosovës, Blerta Nikqi thotë se ATK-ja ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për përgjegjësitë që i janë caktuar përmes UA-së.

“NJMAF do të jetë në kuadër të strukturës organizative të ATK-së dhe e njëjta do të kryejë detyrat dhe përgjegjësitë e përcaktuara me UA”, ka thënë Nikqi, duke mos sqaruar për çfarë arsye nuk është formuar ky njësit.

Nga mosformimi i këtij njësiti, ka pësuar Avni Hasani, pronar i kompanisë “Global Trade”, i cili ka aplikuar në ATK, tash e sa kohë që të certifikohet për shitjen e pajisjeve elektronike fiskale. Hasani ka shtuar se janë në pritje që të formohet njësiti. “Nuk kam informata pse nuk është formuar ky njësit, ne jemi në pritje”, ka thënë ai. Kompanitë që merren me shitjen e arkave fiskale kishin shprehur pakënaqësi prej fillimit për ndryshimin e kontrollit periodik vjetor në dy vjet. Në mbi 130 mijë kompani, sa llogariten të jenë të regjistruara në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës, deri më tani janë fiskalizuar mbi 27 mijë biznese apo shprehur në përqindje, mbi 55 për qind të pikave të shitjes. Llogaritet se evazioni fiskal në Kosovë kap shifrën e 1.7 miliard euro, apo thënë ndryshe sa buxheti i shtetit./Zëri/Telegrafi/

Exit mobile version