Telegrafi

ATK: 50 milionë euro më shumë të hyra tatimore për gjashtë muajt e 2024-së

Administrata Tatimore e Kosovës ka prezantuar rezultatet dhe të arriturat për gjashtë muajt e parë të vitit 2024.

Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së Ilir Murtezaj, gjatë kësaj konference njoftoi treguesit kryesorë të mbledhjes së të ardhurave, efikasitetin e shërbimeve dhe progresin në përmbushjen e objektivave strategjike.

Murtezaj tha se ATK-ja ka arritur rezultate mbresëlënëse në mbledhjen e të hyrave gjatë periudhës janar-qershor 2024, duke theksuar se të hyrat e mbledhura kanë tejkaluar pritshmëritë, duke arritur në 473.3 milionë euro, që tregon rritje prej 50.1 milionë euro më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

“Ky sukses i atribuohet përmirësimit të proceseve të mbledhjes dhe angazhimit të shtuar të tatimpaguesve në përmbushjen e obligimeve të tyre.

Gjatë kësaj periudhe, ATK-ja ka zbatuar 15,442 aktivitete intensive për parandalimin e evazionit tatimor dhe edukimit tatimor. Këto aktivitete kanë ndihmuar në rritjen e ndërgjegjësimit të obligimeve tatimore, duke kontribuar në përmirësimin e pajtueshmërisë dhe uljen e evazionit fiskal.

Këto aktivitete kanë rezultuar me 1.5 milionë euro gjoba, 43.8 milionë euro tatim shtesë, 9.8 milionë euro janë konstatuar mungesë në stoqe, si dhe 3,809 punëtor janë formalizuar si të punësuar”, tha ai.

Sipas tij, një ndër arritjet kryesore të ATK-së ka qenë avancimi i proceseve të digjitalizimit.

“Implementimi i platformave të reja elektronike ka thjeshtuar ndjeshëm procedurat për dorëzimin e deklaratave tatimore dhe pagesave, të cilat që nga lancimi i EDI janë: 25.1 milionë E-deklarime, me gjithsej 164,293 tatimpagues të regjistruar në platformë. Kjo ka rezultuar në një rritje të efikasitetit dhe transparencës, duke bërë të mundur që bizneset të përmbushin obligimet e tyre në mënyrë më të lehtë dhe më të shpejtë.

ATK-ja ka forcuar bashkëpunimin me institucionet e tjera publike dhe organizatat ndërkombëtare, duke krijuar partneritete që kanë për qëllim luftimin e evazionit fiskal dhe përmirësimin e administrimit tatimor. Këto bashkëpunime kanë rezultuar në shkëmbimin e informacionit dhe praktikave më të mira, duke kontribuar në përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve të ATK-së”, tha ai. /Telegrafi/