Site icon Telegrafi

Atifete dhe Ilir: Mos na bëni horë

Presidentja Jahjaga na turpëroi në Varshavë ndërsa Ilir Deda në Beograd në duelin televiziv me ministrin e Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiq.

Dy veta turpëruan Kosovën javën që shkoi. Është presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Këshilltari i parë i saj, Ilir Deda. Presidentja në samitin e presidentëve të Evropës Qendrore në Varshavë kurse këshilltari i Parë i saj në Radio Televizionin e Serbisë në Beograd.
Presidentes Jahjaga iu dha shansi historik që vizitën e parë jashtë vendit si presidente ta ketë në një takim me presidentë të Evropës Qendrore dhe me presidentin më të fuqishëm të globit, Barack Obama. Ky ishte një rast ideal që Kosova të jepte një mesazh komunitetit ndërkombëtar. Mesazh jo më i gjatë se dy fjali që do të përcillej në mediat botërore. Aq më parë që për shkak të pjesëmarrjes së saj e bojkotuan samitin presidenti serb dhe ai rumun. Ky rast u paraqitet presidentëve të shteteve të vogla shumë-shumë rrallë.

Më pranuan si të barabartë”! Vallë çfarë ka menduar Atifetja? Se e kanë ftuar atje t’i lajë pjatat e presidentëve!

Por presidentja as që kishte idenë se çfarë mesazhi t’i jepte botës. Ajo kishte hallin se çfarë mesazhi t’i jepte opinionit kosovar. Dhe ky mesazh ishte mëse idiotik: “Më pranuan si të barabartë”!!! Vallë çfarë ka menduar Atifetja? Se e kanë ftuar atje t’i lajë pjatat e presidentëve?! Po me vetë faktin se je ftuar në takim homologësh do të jesh e barabartë, përndryshe nuk të ftojnë fare. Nuk ftohen presidentet për të larë pjatat e presidentëve tjerë. Ka njerëz profesionistë për këtë punë. Presidentja e Kosovës, nuk e kishte idenë e asaj çfarë po ndodhte në samit, kjo gjë shihej që nga qëndrimi i saj në samit e deri te bartja e çantës e bërë gati si për kanagjeq. Por presidentja mund të shfajësohet se ishte hera e parë dhe se asaj i mungon minimumi i përvojës politike. Gjithsesi kjo nuk i jep drejtë që të mos konsultohet me njerëz që kanë një lloj përvoje në këtë punë.

Debakli i Ilir Dedës në Beograd

Turpi më i madh për Kosovën është debakli që pësoi Ilir Deda në duelin televiziv me Ministrin e Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiq. Një pjesë të këtij faji e mban edhe autori i këtyre rreshtave. Kohë më parë më thirri një nga organizatorët e televizionit publik të Serbisë (RTS) që ta propozoja dikë për duel televiziv me ndonjërin prej zyrtarëve serbë. Mëqë unë kam qenë tre herë në këtë emision mu lutën që tu propozojë dikë tjetër. Propozova Adem Demaçin, por Demaçi u kishte kërkuar pesë mijë euro për pjesëmarrje në emision dhe atyre u ishte dukur ofendim. U propozova Azem Vllasin, por ai ndodhej në Amerikë. U propozova Lutfi Hazirin, por Lutfiu edhepse kishte pranuar u ishte shmangur me arsyetime të agjendës së ngjeshur. U propozova Ardian Gjinin, por ai kishte pranuar vetëm deklaratë përmes telefoni.

Më shkrepi në mendje Ilir Deda dhe ua propozova. Ua dhashë numrin e tij të telefonit me shpresën se Iliri është djalë inteligjent dhe këdo që ta ketë përballë do të mund ta sfidojë. Kur mora vesh se do ta ketë Daçiqin u lehtësova akoma më shumë. Prita që Iliri do të dalë fitues. Por e pashë se paskësha gabuar rëndë. Që nga fillimi i duelit e deri në përfundim Daçiqi doli ngadhënjyes. Në asnjë çështje që u diskutua Iliri nuk arriti të poentojë. Asnjë pyetjeje të Daçiqit nuk i dha përgjigje dhe asnjë pyetje të moderatores nuk iu përgjigj. Derisa Daçiqi e bombardonte me pyetje Ilirin, ai nuk arriti t’ia shtronte qoftë edhe një pyetje të vetme Daçiqit.

Përgjigjet “shmeki” mund të ta mbulojnë mosdijen në ndonjë rast, por jo gjatë gjithë emisionit

Ilirit i mungonte dija elementare për historinë qoftë shqiptare qoftë serbe. Gjithë mosdijen e vet përpiqej ta mbulonte me përgjigje “shmeki”. Por përgjigjet “shmeki” mund të ta mbulojnë mosdijen në ndonjë rast, por jo gjatë gjithë emisionit. Nuk është e thënë që të jesh historian që të kesh dije elementare nga historia. As Daçiqi nuk është historian, por ai tregoi se di diçka nga historia. Nuk ishte aspak “shmeki” kur Daçiq thoshte se “Serbia e ka çliruar Shqipërinë nga Turqia” dhe Iliri u përgjigj “por kjo ka ndodhë para 100 viteve. Me mosdijen e vet Iliri ia vërtetonte Daçiqit gënjeshtrat, por më e tmerrshmja ishte se ai nuk kishte përgjigje as për të tashmen e as për të ardhmen e Kosovës. Nuk kishte përgjigje as për faktin se si do të kompletohet Kosova si shtet.

Përgjigja e tij në interpretimin më të drejtë mund të përmblidhet me dy fjalë: do t’i bëjmë budalla evropianët që Veriun t’ia nxjerrin nga dora Beogradit e t’ia japin Prishtinës. Por kjo gjë nuk është aspak serioze për një këshilltar Presidenti dhe një anëtar ekipi negocues. Prandaj u bëj thirrje politikanëve kosovarë dhe njerëzve tjerë publikë: mos u paraqitni në publik nëse nuk keni idenë se çfarë mesazhi do të transmetoni, mos pranoni pozita politike nëse nuk jeni të zotë për atë punë.

Exit mobile version