Site icon Telegrafi

Athina e Selaniku në flakë, protesta të dhunshme në përvjetorin e vrasjes së 15-vjeçarit (Video)

Dhuna, bombat molotov e zjarri kanë shoqëruar protestat e grekëve në 10-vjetorin e vrasjes së 15-vjeçarit Aleksis Grigoropulos.

Mediat vendase shkruajnë se epiqendra e sulmeve të egra janë shënuar në qendër të Athinës dhe të Selanikut.

Mësohet se një betejë e vërtetë po zhvillohet mes policisë dhe rreth 300 të rinjve në Eksarhia, Politeknikum, në qendër të Athinës, ndërsa thuhet se janë djegur një makinë dhe një pallat.

Po ashtu raportohet se anarkistës hedhin bomba molotov në drejtim të policisë, ndërsa ato shpërthejnë pa ndalim në çdo moment.

Sakaq, në rrugën Sturnari, në Athinë raportohet edhe për një vatër zjarri, ndërsa zjarrfikësja e ka të pamundur që të shkojë në zonë për të fikur zjarrin.

Gazetarja Ira Londo raporton për ‘BalkanWeb’ se aktualisht në Selanik, anarkistë të maskuar janë bërë gati për një sulm të ri nga godina universitare, ku kërcënojnë me bomba molotov kundër policisë.

Kjo e fundit ka larguar nga kjo zonë kalimtarët si dhe gazetarët.

Kujtojmë se Grigoropulos ishte vetëm 15 vjeç kur u qëllua për vdekje nga një patrullë policie mbrëmjen e 6 dhjetorit 2008.

Exit mobile version