Greqia paraqiti një ankesë zyrtare në Serbi të hënën pasi një aeroplan mallrash që mbante municione u rrëzua gjatë përpjekjes për një ulje emergjente në Greqinë veriore.
“Ambasadori grek në Beograd është udhëzuar që të bëjë një ankesë në Serbi (në drejtim të qeverisë) për të theksuar nevojën që autoritetet greke të njoftohen paraprakisht për natyrën e ngarkesës”, ka thënë një zyrtar i qeverisë greke i cili kërkoi anonimitetin në pritje të një shpallje zyrtare, shkruan AP, përcjell Telegrafi.
Tetë anëtarë të ekuipazhit në aeroplanin e ngarkesave An-12, i operuar nga një kompani ukrainase, gjetën vdekjen në përplasjen e së shtunës jashtë qytetit verior grek të Kavalës, që u pasua nga të paktën dy orë shpërthime.
Zyrtarët serbë thanë se aeroplani kishte transportuar 11.5 ton municion mortajash të prodhimit serb në Bangladesh dhe do të bënte një ndalesë në Aman, Jordani.
Ndërkohë ekipet e pastrimit të minave po punonin në vendin e përplasjes për të dytën ditë, në një fushë të rrethuar rreth 40 kilometra (25 milje) në perëndim të Aeroportit Ndërkombëtar të Kavalës.
Zëdhënësi i Shërbimit Zjarrfikës, Yiannis Artopios ka bërë të ditur se nuk janë zbuluar substanca të rrezikshme pas një inspektimi në vendin e përplasjes nga specialistë të ushtrisë nga një divizion i mbrojtjes bërthamore, kimike dhe biologjike.
Të gjithë anëtarët e ekuipazhit të vdekur besohet të jenë shtetas ukrainas, tha Artopios. /Telegrafi/