Atentatori i Strasburgut, Cherif Chekatt, i ka thënë drejtuesit të taksisë që përdori për t’u larguar nga vendi i masakrës se kishte “vrarë për t’u hakmarrë për vëllezërit e vdekur” në Siri.
Lajmi bëhet i ditur nga e përditshmja franceze “Le Parisien”, sipas të cilës, Chekatt e ka lënë të lirë taksistin, pasi ky i fundit i kishte rrëfyer se ishte një besimtar i devotshëm mysliman dhe që i “respektonte lutjet”.
Gjithnjë sipas gazetës franceze, gjatë bastisjes së shtëpisë së tij, policia ka gjetur lidhje plastike (hetuesit kanë hipotezuar se mund të shërbejnë për grabitje), si dhe një armë të kalibrit 22, municione, thika dhe një granatë.
Ndërkohë, përcjell gsh, nuk janë gjetur gjurmë që mund ta lidhin autorin me ndonjë organizatë ekstremiste, si flamuri i zi i ISIS-it.
Janë sekuestruar disa mbishkrime në arabisht, që për momentin po analizohen, por që nuk lënë dyshime mbi natyrën terroriste të aktit të tij.
Analizat mjekësore dhe kamerat e sigurisë, tregojnë që agresori i ka qëlluar viktimat e tij në kokë ose në qafë me një pistoletë të kalibrit 8. Ndërsa janë katër persona që janë qëlluar me grushte.
Ndërkohë, televizioni berlinez RBB, i cili citon burime të shërbimeve të inteligjencës, raporton se vrasësi ka marrë një telefonatë nga Gjermania menjëherë para atentatit.
Nuk është e qartë se kush i ka telefonuar dhe pse. Policia e Baden-Wuerttemberg, Land pranë kufirit me Francën, ka deklaruar gjatë natës së operacionet e kërkimit vazhdojnë.