Një vrasje ka ndodhur pasditen e kësaj të hënë në fshatin Vilëz, Zhejë, Kurbin, ku është ekzekutuar me armë zjarri 67-vjeçari Dodë Mamli.
Autorët e krimit ende nuk janë identifikuar, ndërsa policia po heton mbi pistën e hakmarrjes si motiv i mundshëm i ngjarjes.
Sipas burimeve policore, vrasja mund të lidhet me një konflikt të mëparshëm, pasi dy djemtë e viktimës, Elton dhe Tom Mamli, ndodhen në burg për një vrasje të ndodhur në vitin 2015.
Ata janë dënuar për “Vrasje në rrethana cilësuese” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake” megjithëse kanë qëndruar mohues ndaj rrethanave të ngjarjes.
Ngjarja e vitit 2015 kishte ndodhur në qendër të Mamurrasit, pranë stacionit të trenit, ku një konflikt i armatosur mes palëve përfundoi me vdekjen e Naim Tafës dhe plagosjen e dy kalimtarëve të rastit.
Ekspertiza kishte konfirmuar se viktima ishte qëlluar me armën e përdorur nga Tom Mamli.
Policia ka ngritur postblloqe dhe po punon për zbardhjen e plotë të krimit, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Dosja e prokurorisë për ngjarjen e 2015
Sipas prokurorisë të pandehurit kanë zhvilluar një konflikt të ashpër të armatosur me njëri-tjetrin, në qendër të Mamurrasit, pranë stacionit të Trenit, ku mbeti i vdekur një person i përfshirë në përleshje dhe u plagosën dy kalimtarë të rastit.
Ngjarja ka ndodhur në datën 23.09.2015, ku kushërinjtë G.T, T.T, dhe N.T janë përplasur me armë me vëllezërit Elton dhe Tom Mamli. Nga konflikti i armatosur ka mbetur i vdekur Naim Tafa, ndërkohë që kanë mbetur të plagosur rastësisht shtetasit Idriz Tafa dhe Altin Çoku, të cilët gjendeshin bashkë me shumë persona të tjerë në zonën e stacionit të trenit.
Nga hetimet e Prokurorisë së Kurbinit, rezulton sa vijon: Konflikti ndërmjet familjeve Tafa dhe Mamli ka filluar kohë më parë në Suedi, ku janë përplasur fizikisht për motive të dobëta kushëriri i të pandehurve Tafa, E.T me vëllezërit Mamli. Ky konflikt ka vijuar edhe në Shqipëri. Rreth një muaj para ngjarjes, i dëmtuari në Suedi, E.T dhe i pandehuri G.T, kanë rrahur në Mamurras Elton Mamlin. Pas kësaj ngjarjeje, vëllezërit Mamli kanë debatuar edhe me kushëririn e tyre, Dorjan Mamli, për faktin se ky i fundit shoqërohej me Tafajt, të cilët ishin “kundërshtarët e tyre”. Por, pavarësisht presionit, Dorjan Mamli nuk ka pranuar të shkëpusë marrëdhëniet me Tafat dhe për këtë arsye, ditën e ngjarjes, më 23 Shtator 2015, vëllezërit Elton dhe Tom Mamli kanë rrahur kushëririn e tyre, Dorjan Mamlin. Pas këtij episodi, vëllezërit Mamli janë larguar me mjetin e tyre Range Rover. Ndërsa Dorjan Mamli është takuar me kushërinjtë Tafa, të cilëve u ka treguar për ngjarjen. Këta të fundit (Tafat) kanë dalë me mjetin e tyre, tip “Benz”, në kërkim të vëllezërve Mamli.
Të dy palët janë përballur me njëri-tjetrin pranë stacionit të Trenit dhe fillimisht kanë përplasur mjetet e tyre në mënyrë të drejtpërdrejtë. Pas përplasjes, të dy palët, të armatosur, kanë dalë nga mjetet dhe kanë qëlluar kundër njëri-tjetrit. Konflikti i armatosur ka ndodhur në një moment, kur ambienti përreth ka qenë i populluar me shumë njerëz. Nga goditjet me armë, ka mbetur i vdekur në vend shtetasi Naim Tafa, i cili gjendej nën shoqërinë e kushërinjve Tafa. Nga ekspertiza, dyshohet se ai është vrarë nga arma e përdorur nga Tom Mamli. Po ashtu, nga goditjet me armë, kanë mbetur të plagosur edhe shtetasit Idriz Tafa dhe Altin Çoku, të cilët gjendeshin rastësisht në vendin e ngjarjes.
Në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Kurbinit ka ngritur akuzat për të pandehurit, si më poshtë:
– Të pandehurit Elton dhe Tom Mamli (vëllezër me njëri-tjetrin) akuzohen për “Vrasje në rrethana cilësuese”, dhe “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake.
– I pandehuri Dorjan Mamli akuzohet për “Moskallëzim krimi”.
– Të pandehurit Gazmir dhe Taulant Tafa (kushërinj me njëri-tjetrin) akuzohen për “Vrasje në rrethana cilësuese”, mbetur në tentativë dhe “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake./Euronews Albania