Site icon Telegrafi

Atentati ndaj shqiptarit në Bruksel për gjakmarrje, detaje të reja nga ngjarja

Agustin Kaza ishte shënjestër e një atentati në Bruksel mbrëmjen e së dielës (28 prill). Dyshohet se atentati ndaj tij ka ndodhur për gjakmarrje.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se 44-vjeçari është vëllai i Martin Kazës, i dënuar për vrasjen e dy vëllezërve në 3 korrik të 1997 në Mirditë.

Martin Kaza është dënuar me 22 vite burg për vrasjen e vëllezërve Dod dhe Augustin Gjini të cilët dyshoheshin se i kishin vrarë vëllain në qendër të Rrëshenit në 1994. Martin Kaza u ekstradua nga Britania e Madhe në vendin tonë, në dhjetor të vitit 2017.

Historia e gjakmarrjes mes fiseve

Më datë 7 Janar të vitit 1994 qyteti i Rrëshenit u trondit nga vrasja e Shefit të Krimeve, Ndue Kaza. Ai u qëllua me armë zjarri në mes të qytetit nga Dod Gjini, i cili u largua nga vendngjarja. Shtypi i shkruar i kohës raportonte se vrasja ndodhi pasi Shefi i Krimeve ndërhyri për të shmangur përshkallëzimin e një konflikti mes dy grupeve rivale.

Lexo po ashtu Atentat me armë zjarri shqiptarit në Belgjikë, dyshimet e para

Por 3 vite më vonë, pa arritur që autorët të arrestohen dhe familjet të pajtohen, në qytetin e Laçit vëllai i Komisarit mori hak, duke vrarë 2 vëllezërit Dod dhe Agustin Gjini. Mediat raportonin se ngjarja ndodhi mesditën e 3 Korrikut të vitit 1997, ku sipas tyre, në atentat kishin marrë pjesë dy persona. Pas 4 vitesh, Gjykata e Kurbinit shpalli fajtor në mungesë për vrasjen e dyfishtë, Martin Kazën, duke e dënuar me 22 vite burg. /Telegrafi/

Exit mobile version