Vrasjet dhe atentatet mafioze të ndodhura gjatë muajit janar të këtij viti, me gjasa do të arkivohen në dosjet e pazbardhura.
Gjatë muajit që lamë pas, në të gjithë vendin ndodhën 6 krime, 3 prej të cilave në Tiranë.
Prej tyre janë zbardhur vetëm ato për motive banale, konflikte të momentit, dhe vrasje nga pakujdesia.
Ndërsa atentatet mafioze, si shumë të tjera arkivohen në sirtarët e hetuesve, tranmeton A2 CNN.
Për policinë e Tiranës, pa u zbardhur vrasja e Bujar Nasufit, mbrëmjen e 12 janarit, listës së krimeve të pazbardhura iu shtua edhe ekzekutimi i Lulzim Vishës.
Kjo vraje mund të jetë kryer nga dy kushërinjtë Ervis dhe Eduart Lami për çështje pronësie, dyshon policia.
Por që në fakt, agjentët e krimeve nuk kanë mundur të sigurojnë prova konkrete. E në këtë mënyrë, Eduart Lami u prangos vetëm për armëmbajtje, e ndërsa Ervisi u shpall në kërkim.
Por përveç këtyre dy krimeve të pazbardhura në Tiranë, sektorit të vrasjeve do u duhet të sigurojnë prova edhe për ekzekutimin e tipit mafioz të ndodhur në dhjetor, ku u vra Klaudio Prendi, djali i ish gjyqtarit Fran Prendi.
I tillë është edhe ekzekutimi i 30-vjeçarit Kristian Marku, dy javë më parë, në Vlorë, i njohur edhe me mbiemrin Bardhi.
Hetimet kanë mbetur në vend numëro. Edhe pse policia ka arrestuar personin që kishte siguruar makinën e përdorur në krim, nuk kanë mundur të arrijnë deri tek autorët, duke i lënë ata ende të lirë.