Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar mbrëmjen e sotme në qytetin e Fierit. Një 57-vjeçar është qëlluar me armë zjarri kallashnikov pranë QTU në Fier.
Ai është dërguar me urgjencë në spitalin Rajonal të Fierit, ku ka ndërruar jetë pasi nuk i ka mbijetuar dot plagëve të marra. Burime për Top Channel bëjnë me dije se është qëlluar brenda automjetit tip Audi, i cili qëndronte i parkuar në krah të rrugës.
Pak minuta pas të shtënave, një makinë e djegur është gjetur në afërsi të fshatit Daullas, pranë spitalit Memorial të Fierit. Mjeti dyshohet të jetë i autorit të ngjarjes që plagosi me armë zjarri një person brenda automjetit tip “Audi”.
Njoftimi i policisë:
Sot rreth orës 20:40, në vendin e quajtur “Rrethrrotullim i QTU_së”, dyshohet se nga një automjet tip “Benz” është qëlluar me armë zjarri shtetasi D. B. 57 vjeç, i cili ishte brenda automjetit të tij tip “Audi” dhe si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spitalin e Fierit.
Menjëherë shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, Forca e Posacme “Shqiponja” dhe 2 grupe te FNSH kanë shkuar në vendngjarje dhe po krehin zonën për kapjen e autorit.
Ndërkohë janë ngritur disa pika kontrolli në hyrje dhe dalje të qytetit të Fierit.
Në fshatin Daullas është gjetur e djegur një makinë tip “Benz” e cila dyshohet se është e autorëve të ngjarjes.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve. /tch/