Këtë të mërkurë ka pasur të shtëna me armë në Shëngjin. Si pasojë ka humbur jetën Ardian Nikulaj, pronar e një prej lokaleve në zonën e pedonales në afërsi të bregdetit.
Ende nuk dihet arsyeja e vrasjes, ndërkohë media ka raportuar se 50-vjeçari ka qenë ish-kandidat i Partisë Social Demokrate (PSD) për deputet në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.
Ndërkohë, Nikulaj ishte edhe pjesë e listës së PSD-së për këshilltar bashkiak në Lezhë në këto zgjedhje që do të mbahen në 14 maj.
Sikurse raportohet nga vendi i ngjarjes, mësohet se kanë qenë dy persona, të cilët kanë hyrë të armatosur brenda ambienteve të lokalit të viktimës dhe e kanë qëlluar atë për vdekje e më pas janë larguar menjëherë në drejtim të paditur.
Ende nuk dihen rrethanat e ngjarjes, ndërsa policia dhe grupi hetimor kanë nisur hetimet përkatëse.
Njoftimi i policisë:
Shëngjin, Lezhë/Informacion paraprak: Rreth orës 13:30, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri, në ambientet e lokalit të tij, shtetasi A. N. 50 vjeç, banues në Shëngjin. Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Janë ngritur pika kontrolli dhe është rrethuar zona ku vijojnë kontrollet për kapjen e autorit/ve. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentin e plotë të ngjarjes. /Telegrafi/