Telegrafi

Atalanta e blindon Gjimshitin, mbrojtësi shqiptar vazhdon kontratën me bergamaskët

Berat Gjimshiti do të vazhdojë të qëndrojë te Atalanta, së paku edhe për katër vite të tjera.

Mbrojtësi shqiptar është njëri nga më të mirët në pozitën e tij në Serie A ku ka shkëlqyer viteve të fundit me klubin zikaltër.

Muajve të fundit mediat në Itali raportuan edhe për një interesim të Interit për shqiptarin nga Lugina e Preshevës, por Atalanta ka vendosur ta blindojë yllin e tyre.

29-vjeçari kishte kontratë me Atalantën deri në vitin 2023, por ka vazhduar kontratën edhe për tri vite të tjera.

Ka qenë vet Gjimshiti që ka njoftuar se ka zgjatur marrëveshjen me Atalantën deri në vitin 2026.

“Jam shumë i lumtur dhe krenar që kam zgjatur kontratën me Atalantën. Mezi pres të kem edhe më shumë momente të suksesshme në këtë klub”, ka shkruar ylli shqiptar në profilin e tij në Instagram.

Gjimshiti është pjesë e Atalantës nga janari i vitit 2016, derisa kishte kaluar një sezon si i huazuar te Avellino në Serie B dhe një tjetër te Benevento në Serie A.

Reprezentuesi shqiptar ka zhvilluar 152 ndeshje zyrtare me Atalantën ku ka shënuar gjashtë gola e ka asistuar në gjashtë të tjerë. /Telegrafi/