Rastet kur gjyqtarët dhe prokurorët bëjnë shkelje të ndryshme disiplinore nuk janë të pakta. Pasi shpeshherë ata gjenden në pozita të tilla kur nuk janë në nivele të kënaqshme të detyrës, derisa në anën tjetër masat ndëshkuese ndaj tyre thuajse janë minore dhe shumë të buta.
Se sa raste të tilla janë raportuar që nga viti i kaluar e deri më tani në komisionet disiplinore përkatëse, flet dejtori i Zyrës së Prokurorit Disiplinor, Zef Prendrecaj.
Në një prononcim për gazetën “Kosova Sot” Prendrecaj ka bërë me dije se në vitin 2015, Zyra e Prokurorit Disiplinor ka pranuar gjithsej 515 parashtresa, ankesa ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve për sjellje të mundshme të pahijshme. Prej këtyre parashtresave të pranuara, 331 raste (parashtresa) janë refuzuar pas një hetimi preliminar disiplinor, sepse nuk ka pasur elemente të sjelljes së pahijshme.
Prendrecaj më tej nënvizon se vitin e kaluar janë hapur 57 hetime disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve për sjellje të pahijshme, prej të cilave ka pasur edhe hetime disiplinore të hapura të vitit 2014 dhe që janë bartur në vitin 2015.
“Në 32 raste hetimet disiplinore nuk kanë rezultuar me gjetjen e sjelljes së pahijshme dhe janë mbyllur. Në vitin 2015, ZPD-ja ka rekomanduar inicimin e procedurës disiplinore në 12 raste ndaj gjyqtarëve (me një rast mund të jenë të përfshirë një ose më shumë gjyqtarë) në Komisionin Disiplinor të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, kurse në Komisionin Disiplinor të Këshillit Prokurorial të Kosovës është kërkuar inicimi i procedurës disiplinore në 20 raste ndaj prokurorëve (me një rast mund të jenë të përfshirë një ose më shumë prokurorë)”, tha Prendrecaj.
Ai në këtë drejtim ka nënvizuar se parashtresat, rastet e tjera të pranuara në vitin 2015, të cilat, sipas tij, për shkaqe procedurale nuk janë përfunduar vitin e kaluar, ato janë bartur në vitin 2016, shkruan Kosova Sot.