Telegrafi

Ata që flasin më shumë gjuhë plaken më ngadalë

Studimet kanë treguar se "dygjuhësorët" preken nga dementia katër deri në pesë vjet më vonë se njerëzit që e flasin një gjuhë – thonë hulumtuesit e Qendrës për Plakjen kognitive dhe epidemiologjisë kognitive në Universitetin e Edinburgut.

Shkencëtarët deri më tani nuk kanë qenë në gjendje të përcaktojnë nëse ata që e kanë mësuar një gjuhë të dytë, përveç gjuhës amtare, kishin "blerë" më shumë kohë për plakjen e trurit apo edhe pa këtë kishin parakushte që të plaken më ngadalë.

Por në një studim të ri, të moshuarit të cilët e flasin më shumë se një gjuhë i kishin zgjidhur më mirë testet kognitive se njerëzit që e flasin vetëm një gjuhë, madje edhe në rastet kur në testet e inteligjencës kishin rezultate më të dobëta dhjetë vite më herët.

Kjo do të thotë se, të paktën pjesërisht, të mësuarit e një gjuhe të dytë mundëson shëndet më të mirë të trurit në pleqëri.

Shkencëtarët i përdorën të dhënat e marra gjatë testeve në të cilat morën pjesë 853 skocezë, të cilëve për herë të parë u ishin dhënë testet e inteligjencës në vitin 1947, kur ata ishin vetëm 11 vjeç, dhe pastaj testet e dyta në mes të viteve 2008 dhe 2010, kur ishin në të shtatëdhjetat e tyre.

Vetëm 262 prej tyre kishin mësuar edhe një gjuhë tjetër përveç anglishtes – shumica para moshës 18 vjeçare, dhe vetëm 90 prej tyre e kishin përdorur në mënyrë aktive një gjuhë tjetër në vitin 2008.

Duke marrë parasysh testet e inteligjencës nga viti 1947, personat që e mësuan një gjuhë të dytë kishin rezultate më të mira në lexim, transmeton Koha.net, saktësi të të folurit dhe në përgjithësi në inteligjencë në moshë të shtyrë se personat të cilët nuk e kishin mësuar kurrë ndonjë gjuhë tjetër.

Rezultatet e njëjta i kishin arritur edhe 65 persona që e mësuan një gjuhë të dytë pas moshës 18 vjeçare.

Gjithmonë ekziston pyetja: Çfarë vjen më parë – dygjuhësia apo truri i shëndetshëm? Njerëzit, në përgjithësi, nuk mësojnë më shumë gjuhë për shkak se ata janë të zgjuar, ose për shkak se ata duan, por për shkak të nevojës.

Të mësuarit e një gjuhe të dytë i përmirëson funksionet e caktuara mendore, kryesisht ato në lobin e përparmë të trurit, por jo edhe të gjitha funksionet e tjera – konsiderojnë shkencëtarët. /Telegrafi/