Kampioni i shumëfishtë holandez Ajax, është duke u ballafaquar me një krizë të madhe rezultatesh në këtë edicion të ri të garave në Eredivisie.
Ajax momentalisht është në zonën e rënies dhe aktualisht është në vendin e parafundit të tabelës me pesë pikë dhe 22 pikë mbrapa liderit PSV Eindhoven.
Ish-legjenda e klubit, Rafael van der Vaart, foli me ish sulmuesin holandez Pierre van Hooijdonk në emisionin Planet Voetball ku kritikoi ashpër lojtarët e Ajax-it.
“Kam një ndjenjë që edhe ne këtu në studio mund të luanim me ta. Ky nuk është më Ajaxi që kemi njohur prej brezash. Nuk është më më i mirë se kundërshtari i tij në fushë”, ka thënë fillimisht Van der Vaart.
“Edhe ata që janë lojtarë pak më të mirë po shkojnë drejt mesatares në këtë mjedis. Po, kjo mund t’ju tingëllojë patetike, por një Ajax si ky është një kandidat për rënie për momentin. Është e trishtueshme, por është e vërtetë”, përfundoi ai.
Ajax nuk di për fitore në tetë ndeshjet e fundit në të gjitha garat, teksa fitorja e tyre e fundit daton në muajin gusht, atëherë kur fituan si mysafir të Ludogorets në play-off të Ligës së Evropës./Telegrafi/