Një grua 65-vjeçe nga Japonia ishte viktimë e një mashtrimi në internet, që i kushtoi shtrenjtë – pasi ajo mbeti pa 30 mijë dollarë.
Është rritur numri i atyre që po tentojnë përmes internetit (online) të mashtrojnë, e në mesin e shumë viktimave është gruaja nga Japonia, transmeton Telegrafi.
Rasti i saj është paksa i “pabesueshëm”. Siç raportojnë mediat japoneze, 65-vjeçarja kishte vënë kontakt me një mashtrues përmes Instagramit, i cili publikoi imazhe kinse nga hapësira.
Asaj i tha se është astronaut rus dhe se gjendet në stacionin ndërkombëtar hapësinor, dhe ka qasje të kufizuar në internet.
Komunikimin e vazhduan në aplikacionin japonez për shkëmbim mesazhesh LINE, ku mashtruesi i shprehi dashurinë gruas – duke pretenduar se mëton të fillojë një jetë të re me të në Japoni.
I tha se ka nevojë për para në mënyrë që të mund të rikthehet në Tokë. Gjithashtu pretendoi se i duhen shumë para për të mbuluar koston e shpenzimeve deri të arrijë te ajo.
Me “argumentet” e tij bizare, siç është çmimi i arritjes me aeroplan në Japoni dhe udhëtimi i tij me raketë deri në Tokë.
Kështu ajo i dërgoi 30 mijë dollarë amerikanë në pesë këste dhe e tërë kjo ndodhi brenda një muaji.
Megjithatë vazhdoi t’i kërkojë para, e ajo iu drejtua policisë që filluan hetimet. Në fund u konstatua, se “astronauti rus” kishte mashtruar më herët edhe një japoneze tjetër. /Telegrafi/